Sëmuret Pete Buttigieg, i anulon katër tubime në Florida

  • 26 February 2020 - 10:45
Sëmuret Pete Buttigieg, i anulon katër tubime në Florida

Kandidati për president të Shteteve të Bashkuara nga radhët e Partisë Demokratike, i cili ka pranuar se është homoseksual, Pete Buttigieg, i ka anuluar katër tubime në Florida për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore.

Zëdhënësi i fushatës së këtij kandidati, Chris Meagher, tha se Buttigieg e ka marrë një vendim të tillë për shkak se ka ftohje, shkruan “Associated Press”.

Megjithatë, politikani ka planifikuar të marrë pjesë në një ngjarje në Karolinën Jugore e më pas të udhëtojë drejt Uashingtonit për takime të tjera, të cilat i kishte planifikuar më herët. 

Tri nga katër tubimet e anuluara në Florida kishin të bënin me mbledhjen e fondeve për fushatë. Buttigieg ka kërkuar nga përkrahësit e tij që t’i ndihmojnë për t’i mbledhur 13 milionë dollarë para garës së rëndësishme të javës së ardhshme, kur votohet në 14 shtete.

Pas debatit të së martës mbrëma, ai kishte planifikuar të udhëtonte në Coral Gables të Floridas për të bërë thirrje për përkrahje financiare. Më pas, ai do të shkonte në një tubim publik dhe në fund në dy organizime të tjera në West Palm Beach.

Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara mbahen në nëntor të këtij viti. Tash për tash, në garën brenda Partisë Demokratike është duke prirë kandidati Bernie Sanders.

(Kosova Sot Online)