Varroset me nderime të larta ish-presidenti i Egjiptit, Hosni Mubarak

  • 26 February 2020 - 16:01
Varroset me nderime të larta ish-presidenti i Egjiptit, Hosni Mubarak

Ish-autokrati i Egjiptit, Hosni Mubarak, është varrosur me nderime të larta ushtarake në Kajro pasi vdiq në moshën 91-vjeçare.

Trupi i tij u transportua nga një xhami në periferi të Kajros në varrezat familjare nën masa të rrepta të sigurisë dhe me ceremoni shtetërore. Arkivoli i tij u bart me qerre dhe kuaj, ndërsa turmës i prinë djemtë e tij, Gamal dhe Alaa Mubarak, si dhe presidenti i tanishëm i Egjiptit, Abdel Fatah al-Sisi.

Institucionet egjiptiane e nderuan figurën e ish-presidentit të ndjerë, duke e përmendur të kaluarën e tij si hero gjatë luftës së vitit 1973 kundër Izraelit, shkruan “The Guardian”.

Në një deklaratë të presidencës egjiptiane, Mubaraku u cilësua si njëri nga liderët dhe heronjtë e luftës kundër Izraelit. Lëvdata për të patën edhe forcat ajrore të Egjiptit, të cilat e vlerësuan kontributin e tij gjatë kohës kur ishte pjesë e këtij njësiti ushtarak.

(Kosova Sot Online)