Migracioni ndërron kahje, qytetarët e Europës Lindore po kthehen me të madhe në vendlindje

  • 26 February 2020 - 21:34
Migracioni ndërron kahje, qytetarët e Europës Lindore po kthehen me të madhe në vendlindje

Dikur nuk ndalej vala e punëtorëve migrantë nga vendet lindore të BE, tani për herë të parë shënohet kthesa e vërtetë: Në Poloni po kthehen më shumë qytetarë në vendlindje, se sa po largohen prej vendit.

Më shumë se 15 vite kanë kaluar pas raundit të parë të madh të zgjerimit të Bashkimit Europian me vendet europianolindore e qendrore në vitin 2004. Pak më vonë u bë realitet për këto vende edhe liria e punësimit në BE, një temë që shkaktoi jo pak debate tek anëtarët e vjetër të unionit. Veçanërisht Gjermania dhe Austria ishin kundër hapjes së plotë të tregut të punës me anëtarët e rinj nga frika e pasojave në tregun e punës dhe ulja e rrogave. Por jo të gjithë vendet anëtare të BE kishin frikë atëherë nga dyndja e punëtorëve lindorë që do t’u merrnin vendin e punës vendasve apo do punonin për më pak rrogë. Suedia, Irlanda e Britania e Madhe ishin vendet e para, që i hapën tregjet e tyre menjëherë me anëtarësimin e vendeve europianolindore. Kurse Gjermania e hapi e fundit tregun e punës për 8 anëtarët e rinj lindorë e qendrorë në vitin 2011. Për Bullgarinë e Rumaninë tregu i punës u hap në vitin 2014, për Kroacinë në vitin 2015.

“Na i ktheni njerëzit tanë”

Mobiliteti brenda BE rriti ndjeshëm numrin e punëtorëve migrantë nga vendet europianolindore. Sipas Zyrës Federale të Migracionit e Refugjatëve (BAMF) në fund të vitit 2017 për shembull në Gjermani punonin e jetonin gati 867.000 polakë, 623.000 qytetarë rumunë, kurse nga Bullgaria kanë ardhur më shumë se 66.000 bullgarë në Gjermani për punë vitet e fundit.

(Kosova Sot Online)