Nasim Haradinaj: Nuk e di a ka qenë i ftuar nga Specialja Qerim Kelmendi

  • 27 shkurt 2020 - 11:47
Nasim Haradinaj: Nuk e di a ka qenë i ftuar nga Specialja Qerim Kelmendi

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj ka thënë se vrasja e Qerim Kelmendit duhet të sqarohet sa më parë. Haradinaj i tha medias se LDK-ja duhet të prononcohet për këtë vrasje pasi që është specialiste e cilësimeve të vrasjeve të pas luftës. Nënkryetari i OVL-UÇK-së, tha se nuk ka informacion nëse ish-pjesëtari i UÇK-së i vrarë mëngjesin e sotëm ka pasur ftesë nga Gjykata Speciale.

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Qerim Kelmendi, dyshohet se u gjet i djegur në veturën e tij në fshatin Zahaq të Komunës së Pejës, gjatë orëve të para të mëngjesit të së enjtes. 

Qerim Kelmendi njihej si kritikues i madh i LDK-së dhe Presidentit Ibrahim Rugova.

Nasim Haradinaj i ka thënë medias se “vrasja është shumëdimensionale dhe motivin e vrasjes duhet ta vërtetoj drejtësia”.

Tutje ish-komandanti i UÇK-së tha se LDK-ja duhet të dalë me një prononcim dhe ta cilësoj se çfarë lloj vrasje është kjo e Qerim Kelmendit.

“Se cili është motivi duhet drejtësia ta vërtetoj, ose të del LDK-ja dhe të na tregojë se çfarë vrasje është kjo e fundit. LDK-ja ish dashtë me u prononcu sepse është e shquar për cilësimin e vrasjeve, jo me u prononcu si fajtore por me u prononcu sepse është specialiste e cilësimit të vrasjeve ende të pa zbuluara”, ka thënë Haradinaj.

Ai po ashtu tha se nëse është vrarë si ushtar i UÇK-së, vrasjen e ka kryer Serbia.

“Nëse është vrarë si ushtar i UÇK-së, është vrarë me direktivë serbe, motivet tjera nuk i di. UÇK-ja është duke u sulmuar edhe prej politikës pacifiste edhe prej politikës serbe, mendoj se duhet të sqarohet saktë i kemi organet e drejtësisë, uroj që të zbulohet vrasja”, ka thënë nënkryetari i OVL-UÇK-së.

Haradinaj deklaroi se Qerim Kelmendi ka qenë njëri nga pjesëtarët e parë të UÇK-së.

“Po ia sqaroj LDK-së dhe opinionit se Qerim Kelmendi ka qenë njëri ndër celulat e para të UÇK-së të grupit të Adrian Krasniqit”, ka thënë ai.

I pyetur se a ka qenë ish-pjesëtari i UÇK-së i ftuar nga Gjykata Speciale, Haradinaj tha se edhe nëse ka qenë nuk është çudi.

“Nuk e di, por edhe nëse ka qenë i ftuar nuk më vjen çudi sepse të gjithë ushtarët e UÇK-së, munden me qenë target i mundshëm i ftesave nga Prokuroria Speciale”, ka thënë Haradinaj.

Qerim Kelmendi ishte vëllai i Ibrahim Kelmendit, njërit nga drejtuesit e Lëvizjes Popullore të Kosovës.

(Kosova Sot Online)