Kërkohet konfiskimi i pasurisë përmes Vetting-ut në Kosovë

  • 27 February 2020 - 14:06
Kërkohet konfiskimi i pasurisë përmes Vetting-ut në Kosovë

“Konfiskimi i pasurisë do të ishte mënyra më e mirë për të bërë pastrime. Por jo konfiskim të pasurisë siç po bëhet në Shqipëri nga fushata qesharake e Edi Ramës. Në Shqipëri deri me tash asnjë politikani nuk i është konfiskuar pasuria. Ky nuk quhet pastrim, por amnisti e kriminelëve të politikës dhe para politikës”, thotë analisti politik Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Faik Krasniqi konsideron se testi i koalicionit qeverisës mes Vetëvendosjes dhe LDK-së, është pritja e realizimit të zotimit dhe premtimit për bërjen e ligjit të Vetting-ut, nëpërmes të cilit do të pastroheshin partitë politike, por edhe institucionet e shtetit nga strukturat kriminale të shtresuara në të gjitha segmentet e shtetit, që nga niveli lokal deri në atë qendror.

Image
Faik Krasniqi

“Pastrimi në Kosovë duhet të ndodhë kudo. Nëpër partitë politike, drejtësi, polici, dogana etj. Ky pastrim duhet të bëhet rrënjësisht, dhe jo vetëm sa për sy e faqe”, thotë Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Sipas Krasniqit, nuk mundë të ketë spastrim nga krimi i organizuar, nëse me procesin e Vetting-ut nuk konfiskohet pasuria e secilit zyrtar që do të verifikohet e kaluara e tij kriminale, dhe të nxirret jashtë sistemit të institucioneve të shtetit.

Madje Krasniqi kërkon që Vettingu që do të zbatohet në Kosovë, të jetë akoma më ndryshe, dhe më i ashpër se sa modeli që po zbatohet tani në Shqipëri.

“Konfiskimi i pasurisë do të ishte mënyra më e mirë për të bërë pastrime. Por jo konfiskim të pasurisë siç po bëhet në Shqipëri nga fushata qesharake e Edi Ramës. Në Shqipëri deri me tash asnjë politikani nuk i është konfiskuar pasuria. Ky nuk quhet pastrim, por amnisti e kriminelëve të politikës dhe para politikës. Prandaj kam frike se e njëjta gjë do të ndodhë edhe tek ne”, deklaron Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)