Kryesia e Kuvendit vendos sot për seancën rreth taksës

  • 28 February 2020 - 07:52
Kryesia e Kuvendit vendos sot për seancën rreth taksës

Kryesia e Kuvendit të Kosovës pritet të mblidhet sot gjatë ditës për të shqyrtuar kërkesën e deputetëve të opozitës për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme.

Mbledhja do të mbahet në ora 14:00, për të vendosur lidhur me kërkesën e deputetëve të opozitës.

AAK-ja ka mbledhur 41 nënshkrime për seancë të jashtëzakonshme, si pakënaqësi për vendimin që ka paralajmëruar qeveria e Kosovës, heqjen e taksës të vendosur për produktet serbe dhe boshnjake.

Deputetët  kanë kërkuar që seanca të mbahet më së largu të hënën.

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka reaguar pas njoftimit të sotshëm të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për heqjen e pjesshme dhe me kushte të tarifës ndaj mallrave nga Serbia.

Grenell ka thënë, nëpërmjet një reagimi në natën e së enjtes, në rrjetin social Twitter, se administrata e presidentit Donald Trump nuk e mbështet masën gjysmake të shefit të ekzekutivit kosovar.

“Ne nuk e mbështesim masën gjysmake të kryeministrit Kurti”, ka shkruar Grenell.

“Qëndrimi ynë është shumë i qartë: tarifat duhet të hiqen krejtësisht”, ka deklaruar emisari i Trumpit.

(Kosova Sot Online)