Dalin detajet/ 12 të arrestuar bashkë me Çilin, mes tyre edhe një biznesmen (Emri)

  • 28 February 2020 - 09:53
Dalin detajet/ 12 të arrestuar bashkë me Çilin, mes tyre edhe një biznesmen (Emri)

Të tjera detaje zbulohen për operacionin që çoi në arrestimin e botuesit dhe analistit të njohur Henri Çili. Botuesi dhe pronari i Universitetit Europian të Tiranës, Henri Çili është arrestuar në orët e para të mëngjesit nga policia, bashkë me 12 persona të tjerë mes tyre biznesmeni Sait Fishta dhe drejtori Juridik i UET, Ilir Korbi, shkruan “shqiptarja.com”.

Urdhër-arrestet për ndalimin e tyre janë lëshuar nga Prokuroria e Përmetit pas një hetimi disa mujor. Çili është shoqëruar në orën 21:00 të mbrëmjes së djeshme, ndërkohë që urdhër arresti i është komunikuar në orë e para të mëngjesit të sotëm.

Të arrestuarit akuzohen për korrupsion pasiv dhe aktiv në fushën e drejtësisë, ndërsa burimet bëjnë me dije se Çili kishte ushtruar ndikim tek një gjyqtar për të liruar një person nga Lazarati të arrestuar për drogë. Ndaj tyre rëndojnë akuzat për korrupsion, ushtrim të ndikimit të paligjshëm, falsifikim të dokumenteve dhe shpërdorim detyre.

Gjatë operacionit policia ka arrestuar edhe Amarildo Alikon, në banesën e të cilit u gjetën dhe sekuestruan armë dhe municione. Të arrestuarit janë dërguar tek Policia e Tiranës, ku priten veprime të mëtejshme.

Nga ky operacion i cili është finalizuar në orët e para të mëngjesit mësohet se janë shoqëruar më shumë se 40 persona të tjerë. Kontrolle janë ushtruar në disa banesa në qytetin e Gjirokastrës si dhe në ambientet e UET. Pritet që kjo dosje të kalojë në SPAK.

(Kosova Sot Online)