Deputetja e AAK-së: Kurti i shkarkoi zyrtarët që britanikët u dhanë pikë maksimale

  • 28 February 2020 - 14:55
Deputetja e AAK-së: Kurti i shkarkoi zyrtarët që britanikët u dhanë pikë maksimale

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj ka reaguar pasi qeveria e Kosovës mori vendim që të shkarkojë bordin e kompanisë publike “Infrakos”.

Kadrijaj ka thënë se shkarkimi i anëtarëve të bordit nga ana e Kryeministrit Kurti është fyerje për zyrtarët britanikë të cilët i kanë vlerësuar të njëjtit.

“Veprimet e z. Kurti dhe qeverisë së tij, ku pa asnjë analizë apo vlerësim performance t’i shkarkojnë bordet, dëshmon qartë se logjika e tij është si lufta e klasave: Urra o burra. Si deputete e Parlamentit të Kosovës shpresoj që edhe kolegët e mi do ta ngrisin zërin per mbrojtjen e të drejtave të tyre elementare. Kjo është fyerje edhe për përfaqësuesit britanez që i vlerësuan maksimalisht të njëjtit”, ka shkruar Kadrijaj në Facebook.

Shkarkimi i këtij bordi u bë me propozim të ministres së Ekonomisë, Rozeta Hajdari.

Ajo ka thënë se ndërmarrja publike i ka shkelur detyrat dhe ka pasur performancë të dobët.

“Qeveria konstaton shkelje dhe shkarkon bordin, që ka shkelë detyrat se nuk kanë marrë masa ndaj kryeshefit të ndërmarrjes, që u akuzua për shkelje të pozitës, Agron Thaçi. Vepra ka të bëjë me dëmtimin e pronës dhe ndërmarrjes gjatë mandatit”, tha Hajdari.

(Kosova Sot Online)