Rreziku nga koronavirusi rritet në nivelin më të lartë

  • 28 February 2020 - 19:01
Rreziku nga koronavirusi rritet në nivelin më të lartë

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e rriti të premten kërcënimin nga koronavirusi i ri në nivelin më të lartë.

Shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se ky hap u ndërmor për shkak të rritjes së vazhdueshme të numrit të rasteve dhe të numrit të vendeve të prekura, në ditët e fundit.

“Këto zhvillime janë qartazi shqetësuese”, u tha Ghebreyesus gazetarëve në Gjenevë.

“Ne kemi ende shanse për ta frenuar këtë virus, nëse ndërmerren veprime të fuqishme për zbulimin e hershëm të rasteve, si dhe për izolimin dhe kujdesin ndaj pacientëve”, tha ai.

Koronavirusi, i identifikuar si COVID-19, e ka origjinën në qytetin Vuhan të Kinës.

Rastet e para atje janë shfaqur në dhjetor të vitit të kaluar, por që atëherë dhjetëra shtete të botës kanë konfirmuar se kanë njerëz të infektuar.

Të premten, Nigeria konfirmoi rastin e parë në Afrikën Nën-Sahariane.

Shifrat e fundit, të raportuara nga autoritetet shëndetësore të secilës qeveri të premten në Pekin, tregojnë se koronavirusi ka infektuar mbi 83,000 njerëz në gjithë botën, ndërsa mbi 2,800 pacientë kanë vdekur.

(Kosova Sot Online)