Fshehje të ardhurash e pastrim parash, në pranga biznesmeni Sait Fishta. Ish-kandidati për deputet mes 28 të arrestuarve të aksionit “Mezhgorani”

  • 29 February 2020 - 10:44
Fshehje të ardhurash e pastrim parash, në pranga biznesmeni Sait Fishta. Ish-kandidati për deputet mes 28 të arrestuarve të aksionit “Mezhgorani”

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu, gjatë një deklarate për shtyp bëri të ditura rezultatet e operacionit të koduar “Mezhgorani”, gjatë të cilit u arrestuan 28 persona, bashkë me 7 të tjerë që janë arrestuar më herët.

Mes të arrestuarve në kuadër të këtij operacioni është edhe biznesmeni nga Shkodra, ish-kandidati për deputet në këtë qark, 60-vjeçari Sait Fishta. Policia tha dje se aktualisht Fishta është me masë sigurie “Arrest në burg”, i dyshuar për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Mashtrimi”. Fishta është arrestuar edhe 4 vite më parë, në shkurt të vitit 2016, me urdhër të Prokurorisë së Shkodrës.

Në atë kohë, Policia ekzekutoi vendimin e Gjykatës, që kishte vendosur sekuestro preventive mbi 9 pallate në ndërtim në zonën bregdetare të Velipojës. Policia deklaronte se ato pallate ishin në pronësi të Sait Fishtës, i cili dyshohej se kishte konsumuar veprën penale të “Ndërtimit të paligjshëm”.

Biznesmeni i njohur i ndërtimit u ndalua në atë kohë nga Policia në Tiranë, pasi nga hetimet rezultoi se në vitin 2010 kishte marrë 50 leje ndërtimi nga Komuna Velipojë. Sait Fishta njihet në qytetin e Shkodrës si biznesmen ndërtimi. Më herët ka qenë sportist (mundës). Më pas për shumë vite u mor me biznes, ndërsa vendosi të aktivizohej edhe në Politikë.

OPERACIONI

Gjatë orëve të para të mëngjesit të ditës së djeshme, shërbimet e Policisë Gjyqësore në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë Gjirokastër, Tiranë, Durrës, Fier, Shkodër, Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe FNSH-në, nën drejtimin dhe bashkëpunimin me Prokurorinë pranë Gjykatës Shkallës së Parë Përmet, pas një hetimi 6-mujor, në funksion të procedimit penal të regjistruar në vitin 2019 për veprat penale “Falsifikimi i kartëmonedhave”, finalizuan me sukses operacionin policor “Mezhgorani”.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu, gjatë një konference për shtyp ditën e djeshme tha se, si rezultat i punës hetimore e procedurale nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Përmet, duke aplikuar metodat speciale të hetimit u bë e mundur të dokumentohej aktiviteti kriminal për 35 persona.

Ata dyshohen për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Falsifikimi i kartëmonedhave”, “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe lëndëve plasëse”, “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Fshehja e të ardhurave”, “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”. Gjatë operacionit që nisi gjatë mbrëmjes së të enjtes dhe u mbyll në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme, u arrestuan 28 persona. Ndërsa po në kuadër të hetimeve të këtij procedimi, ishin arrestuar më herët edhe 7 persona të tjerë.

ARRESTIMET E MEPARSHME

Drejtori Ardi Veliu tha dje se më parë është bërë arrestimi i shtetasve: E. B., banues në Shkodër, arrestuar më datë 23.12.2019, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve kryer në bashkëpunim”, aktualisht me masë sigurie “Arrest në burg”; S. S, banues në Përmet, arrestuar më datë 18.10.2019, aktualisht me masë sigurie “Arrest në burg”; Z. B., banues në Shkodër, arrestuar më datë 31.10.2019, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, aktualisht me masë sigurie “Arrest në shtëpi”; I. R., banues në Shkodër, arrestuar më datë 2- 3.12.2019, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, aktualisht me masë sigurie “Arrest në burg”; F. R., banues në Tepelenë, arrestuar më datë 22.02.2020, për “Armëmbajtje pa leje”, aktualisht me masë sigurie “Arrest në burg”; E. A., banues në Tiranë, arrestuar më datë 23.02.2020, për veprën penale “Armëmbajtje pa leje”, aktualisht me masë sigurie “Arrest në burg”; D. D., banues në Përmet, arrestuar më datë 23.02.2020, aktualisht me masë sigurie “Arrest në burg”.

“Këtyre personave, në 4 episode të ndryshme kohore iu është bërë e mundur t’u sekuestrohet sasia prej 128 kg lëndë narkotike kanabis sativa, droga të forta në formë dozash heroine dhe kokaine, 2 kallëpe lëndë plasëse tritol, shuma parash prej 10 milionë lekësh, shuma prej 7500 eurosh, 3500 euro të dyshuara të falsifikuara, 7 automjete, dokumente të dyshuara të falsifikuara dhe kontrata noteriale të ndryshme”, tha dje Ardi Veliu.

Më tej, drejtori i Përgjithshëm i Policisë tha se operacioni është në vijim e për këtë arsye nuk mund të bëhen me dije detaje që cenojnë vijimësinë e operacionit. “Policia e Shtetit është e angazhuar dhe e vendosur për të luftuar pa kompromis krimin e organizuar dhe krimin në përgjithësi, ndaj fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin 112 çdo rast të paligjshmërisë, në cilëndo fushë që ajo shfaqet, duke u garantuar reagim të shpejtë profesional e anonimat të sigurt për qytetarët”, tha Veliu.

TE ARRESTUAR

1. Xhevahir Sejati, 37 vjeç, banues në Përmet, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;
2. Neuland Miçi, 41 vjeç, banues në Tepelenë, “Prodhimi
dhe shitja e narkotikeve”;
3. Skënder Toska, 38 vjeç, banues në Përmet, “Prodhimi
dhe shitja e narkotikëve”;
4. Armando Hajdinaj, 30 vjeç, banues në Tepelenë, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;
5. Sidi Ramaj, 30 vjeç, banues në Tepelenë, “Prodhimi
dhe shitja e narkotikëve”;
6. Erment Beqaraj, 31 vjeç, banues në Përmet, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;
7. Askerd Malkë, 25 vjeç, banues në Përmet, “Prodhimi
dhe shitja e narkotikëve”;
8. Elidon Alikollari, 25 vjeç, banues në Përmet, “Prodhimi
dhe shitja e narkotikëve”;
9. Lisandër Alikollari, 29 vjeç, banues në Përmet, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;
10. Ervin Çela, 41 vjeç, banues në Tepelenë, “Prodhimi
dhe shitja e narkotikëve”;
11. Ali Hysa, 41 vjeç, banues në Shkodër, “Prodhimi dhe
shitja e narkotikëve”
12. Antonio (Saimir) Hasa, 37 vjeç, banues në Tepelenë, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;
13. Entilon Kamberaj, 33 vjeç, banues në Këlcyrë, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;
14. Abaz Dani (Mesi), 56 vjeç, banues në Krujë, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;
15. Shpresa Gjocaj, 56 vjeçe, banuese në Tiranë, “Falsifikimi i dokumenteve”
16. Sait Fishta, 60 vjeç, banues në Tiranë, aktualisht me
masë sigurie “Arrest në burg”, i dyshuar për veprat penale
“Fshehja e të ardhurave”, “Pastrimi i produkteve të veprës
penale ose veprimtarisë kriminale”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Mashtrimi”
17. Besnik Fishta, 57 vjeç, banues në Shkodër, “Fshehja
e të ardhurave”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale
ose veprimtarisë kriminale”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe
“Mashtrimi”
18. Henri Çili, 45 vjeç, banues në Tiranë, “Fshehja e të
ardhurave”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose
veprimtarisë kriminale”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Mashtrimit”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që
ushtrojnë funksione publike” dhe “Falsifikimi i dokumenteve” në bashkëpunim
19. Enri (Gazmir) Ajdinaj, 34 vjeç, banues në Tiranë,
“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë
kriminale” “Mashtrimi”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”
dhe “Armëmbajtja pa leje”
20. Ilir Korbi, 38 vjeç, banues në Tiranë, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Mashtrimi”, “Ushtrimi i ndikimit të
paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”
dhe “Falsifikimi i dokumenteve” në bashkëpunim
21. Liko Jazi, 56 vjeç, banues në Patos, “Falsifikim të dokumenteve” dhe “Mashtrim”
22. Amarildo Aliko, 20 vjeç, banues në Lazarat, “Armëmbajtja pa leje”
23. Eraldjan Hodo, 33 vjeç, banues në Tiranë, “Armëmbajtja pa leje”
24. Renato Toska, 32 vjeç, banues në Tiranë, “Përkrahja
e autorit në krim” dhe “Moskallëzim krimi”
25. Kejsi Meço, 40 vjeçe, banuese në Tiranë, “Përkrahja
e autorit në krim” dhe “Moskallëzim krimi”
26. Edmond Xaka, 32 vjeç, banues në Fushë-Krujë,
“Përkrahja e autorit në krim” dhe “Moskallëzim krimi”
27. Kristina Bashi, 24 vjeç, banuese në Tiranë, “Përkrahja e autorit në krim” dhe “Moskallëzim krimi”
28. Adriatik Brakaj, 20 vjeç, banues në Ballsh, “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Moskallëzim krimi”.

(Kosova Sot Online)