Në Britani shënohet përhapje e koronavirusit brenda vendit

  • 29 February 2020 - 11:11
Në Britani shënohet përhapje e koronavirusit brenda vendit

Numri i personave të infektuar me koronavirus në Britani të Madhe ka shkuar në 20. Ndërkohë është shënuar rasti i parë i infektimit brenda kufijve kombëtarë.

Pacienti është një burrë nga Surrey, që ishte trajtuar në qendrën shëndetësore Haslemere, para se të transferohej në një spital të Londrës.

Ai është infektuar në Angli nga një person i panjohur. Autoritetet britanike po mundohen që ta gjejnë këtë person për ta parandaluar përhapjen më të madhe.

Nuk dihet nëse përhapësi i koronavirusit ka ardhur nga ndonjë vend i huaj, sidomos nga Italia, Koreja Jugore, Irani apo Japonia, ku janë shënuar më së shumti raste pas Kinës.

Këtë mëngjes, ministri i shëndetësisë, Edward Argar, refuzoi t’i komentonte raportimet se personi i parë me koronavirus e ka infektuar edhe mjekun e tij.

Rasti i ri erdhi pas përhapjes së vazhdueshme të koronavirusit në pjesë të ndryshme të Mbretërisë së Bashkuar, përfshirë Irlandën Veriore dhe Uellsin.

Deri më tash, asnjë person nuk ka vdekur nga koronavirusi në Britaninë e Madhe, shkruan “Daily Mail”.

(Kosova Sot Online)