Kurti s’e përmend shërbimin e detyrueshëm ushtarak, flet për investimet në FSK

  • 29 February 2020 - 15:42
Kurti s’e përmend shërbimin e detyrueshëm ushtarak, flet për investimet në FSK

Ditën që ishte zgjedhur kryeministër, Albin Kurti, gjatë prezantimit të planit të tij qeverisës kishte thënë se shërbimi ushtarak do të bëhet i detyrueshëm. Por, sot në mbledhjen e kabinetit qeveritar, të mbajtur në Prevallë, nuk e ka përmendur fare shërbimin ushtarak.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Kurti ka bërë me dije se në mbledhjen e sotme është  diskutuar vetëm për investimet në mbrojtje.

“Synimi ynë është anëtarësimi në NATO prandaj edhe do të investojmë në mbrojtje që të rrisim kapacitetet e FSK-së”, ka shkruar Kurti.

Ndryshe, Kurti gjatë prezantimit të planit të tij qeverisës në seancën e kur u zgjodh kryeministër kishte thënë se shërbimi ushtarak do të bëhet i detyrueshëm.

“Me qeverisjen tonë shërbimi ushtarak bëhet i detyrueshëm në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira të vendeve të NATO-së. Do t’i fillojmë përgatitjet për shërbimin obligativ ushtarak, ky shërbim do të jetë në kohëzgjatje tre mujore i cili do t’i ndihmoj FSK-së t’i përmbushë detyrat dhe rolin e saj shtesë në fushën e mbrojtjes”, kishte thënë Kurti.

(Kosova Sot Online)