Paralajmërohet rreziku serioz: Kjo është sfida e radhës për Kosovën

  • 01 March 2020 - 07:27
Paralajmërohet rreziku serioz: Kjo është sfida e radhës për Kosovën

“Sidoqoftë, në këtë stad të ngecjes së zhvillimit ekonomik të Kosovës, dhe ndryshimeve të ngadalshme që mundë të vijnë në të ardhmen, kjo lëvizje gjithsesi e rrezikon seriozisht zbrazjen e Kosovës, nga fuqia më aktive punëtore sepse qytetarët janë tepër të zhgënjyer dhe të pa shpresë për ndryshime të shpejta pozitive në vend. Nuk po duket që shteti mundë të ju del më shpejtë atyre në ndihmë për të siguruar një punësim stabil”, thotë Aliu për “Kosova Sot Online”.

Analisti politik, Bislim Aliu paralajmëron edhe një sfidë tjetër të re për shtetin e Kosovës, me tendencë të fillimit të largimit të madh të qytetarëve jashtë vendit drejtë Gjermanisë, për shkak të hyrjes në fuqi në këtë shtet të Ligjit për Fuqinë Punëtore të Kualifikuar, i cili fillon të zbatohet nga 1 marsi, dhe rregullon hyrjen e shtetasve të huaj punë kërkues në Gjermani nga vendet jashtë Bashkimit Evropian.

Sipas Ligjit, për herë të parë mund të shkosh në Gjermani edhe me një vizë gjashtëmujore për të kërkuar punë, duke i mbuluar personalisht shpenzimet për këtë periudhë.

E ambasada gjermane në Prishtinë me anë të një njoftimi tregon disa nga detajet e këtij Ligji dhe procedurën e aplikimit për vizë.

“Si fuqi punëtore e kualifikuar konsiderohen të diplomuarit në universitete si dhe personat me një kualifikim në arsimin profesional që njihet në Gjermani. Punësimi është i mundur vetëm në atë profesion për të cilin keni marrë më parë kualifikimin përkatës. Një diplomë profesionale konsiderohet zakonisht si e kualifikuar dhe njihet, nëse në Gjermani ajo do të merrej pas një periudhe dy tre vjeçare të arsimit profesional”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Interesimi i të rinjve kosovar për të kërkuar punë në këtë vend është jashtëzakonisht i madh, prandaj edhe sipas analistit Aliu, rrezikon seriozisht të zbrazet Kosova nga fuqia më aktive punëtore dhe kuadrot profesionale, që shumë shpejtë do ta paraqesin deficit për tregun vendor të punës.

Image
Bislim Aliu

“Pa dyshim, në këtë fillim pranverorë, Kosova do të përjetojë edhe një eksod, tani legal me letra të qytetarëve, të moshës më të re, të cilëve do t'ju sigurohet rruga legale e migrimit në Gjermani, pa viza për të siguruar një vend pune. Për këtë proces tani edhe ambasada gjermane ka dhënë të gjitha shpjegimet për procedurat e nevojshme se si të aplikohet për vizë pune, prej 1 marsi, sepse sikur që dihet, me 1 mars në Gjermani, pritet të hyn në fuqi, Ligji për Fuqinë Punëtorë të Kualifikuar, i cili rregullon hyrjen e tyre në Gjermani, nga vendet jashtë Bashkimit Evropian, ligj që mundëson sigurimin e një vendi pune në këtë shtet pa ndonjë pengesë serioze, sipas kushteve të përcaktuara. Është një lehtësi shumë e madhe që e ka krijuar shteti gjerman për punëtorët e kualifikuar, për të shkuar dhe kërkuar punë në këtë vend, pasi që sipas ligjit, për herë të parë mund të shkosh në Gjermani, edhe me një vizë gjashtëmujore të kërkosh punë, natyrisht që kjo e ka edhe koston e vetë sepse duhet mbuluar personalisht shpenzimet e qëndrimit për këtë periudhë kohore”, thotë Aliu për “Kosova Sot Online”.

Sfidë për shtetin e Kosovës, sipas Aliut paraqet ky liberalizim i tregut të punës dhe lëvizjes për qytetarët e huaj në Gjermani, për faktin se tendencat e largimit jashtë Kosovës do të shfaqen kryesisht tek të rinjtë, të cilët përkundër kualifikimeve të tyre të ndryshme, nuk po arrijnë të gjen punë në Kosovë.

“Përveç moshës së mesme, disponimi dhe gatishmëria për të lëvizur drejtë Gjermanisë shihet tek të rinjtë nën moshën 25 vjeç, që kanë mbaruar shkollën, e që kanë përfunduar edhe kurse të gjuhës gjermane dhe mund të shkojnë për të kërkuar një vend pune sipas kualifikimit, për deri në gjashtë muaj. Andaj, ambasada gjermane në Prishtinë, me anë të një njoftimi, i tregon disa detaje të këtij Ligji dhe procedurën e aplikimit për vizë, dhe kjo është ndihmesë e madhe për informimin e tyre. Sidoqoftë, në këtë stad të ngecjes së zhvillimit ekonomik të Kosovës, dhe ndryshimeve të ngadalshme që mundë të vijnë në të ardhmen, kjo lëvizje gjithsesi e rrezikon seriozisht zbrazjen e Kosovës, nga fuqia më aktive punëtore sepse qytetarët janë tepër të zhgënjyer dhe të pa shpresë për ndryshime të shpejta pozitive në vend. Nuk po duket që shteti mundë të ju del më shpejtë atyre në ndihmë për të siguruar një punësim stabil”, deklaron analisti politik, Bislim Aliu për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)