Policia në aksion, konfiskon afro 60 kilogramë drogë

  • 01 March 2020 - 15:17
Policia në aksion, konfiskon afro 60 kilogramë drogë

Drejtori i drejtorisë Antidrogë, Bahri Shala ka njoftuar se Policia e Kosovës ka arrestuar 10 persona të përfshirë në rrjete kriminale të trafikimit me substanca narkotike të llojeve të ndryshme.

Policia ka arrestuar të dyshuarit në tri operacione të ndryshme të realizuara vetëm në 24 orët e fundit. Policia e Kosovës përmes një konference për media ka njoftuar se operacionet janë realizuar në Fushë-Kosovë, Gjakovë dhe në fshatin Xërxë, në magjistralen Gjakovë- Klinë.

“Vetëm në 24 orët e fundit, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me narkotikë ka realizuar tri operacione në lokacione të ndryshme në Kosovë. Ne operacionin e parë janë identifikuar një grup kriminal të cilët e kanë zhvilluar aktivitetin e tyre për trafikim të substancave narkotike nga Ballkani, në drejtim të vendeve të BE-së. Në këtë rast Policia ka arrestuar katër persona të dyshuar, tre shtetas të Kosovës dhe një shtetas të Shqipërisë, në operacionin e realizuar në rrugën Gjakovë-Klinë, në fshatin Xërxë. Me këtë rast janë konfiskuar 57.5 kilogramë substancë narkotike e dyshuar e llojit marihuanë, tre automjete, katër telefona dhe para të ndryshme, një revole dhe dëshmi të tjera që mund të përdorën në procedurë penale”, tha Shala.

Tek operacioni i dytë, sipas tij, janë arrestuar 5 të dyshuar, katër shtetas të Kosovës dhe një i Serbisë, të cilët i kanë zhvilluar aktivitetet e tyre kriminale në shpërndarjen e narkotikëve në nivel vendi – këtu janë konfiskuar 500 gramë drogë e llojit amfetaminë, 200 gramë marihuanë dhe gjësende të tjera.

Në lokacionin e tretë, Policia ka arrestuar një person si dhe ka konfiskuar 500 gramë marihuanë dhe 6.17 gramë kokainë, një automjet, një telefon dhe një peshore.

(Kosova Sot Online)