Curri i mohon akuzat, dëshmitarët nuk i ndryshojnë deklaratat

  • 01 March 2020 - 21:06
Curri i mohon akuzat, dëshmitarët nuk i ndryshojnë deklaratat

Biznesmeni Faton Dalldaku thotë se i qëndron parapa deklaratave që i ka dhënë në Prokurori.

Para nëntë muajve u zhvillua një aksion i madh Policisë në lagjen Marigona në Prishtinë.

Cak i organeve të rendit ishte kapja e Ismet Osmanit, i njohur si Curri.

Ky ishte i dyshuar nga Prokuroria Themelore e Prishtinë për veprat penale fajde, detyrim dhe mashtrim.

Për të njëjtat vepra ishin arrestuar edhe Ilir Bojku, Mentor Maqani, Adil Thaci, Samir Nika dhe Rrahim Hashimi.

Të lartpërmendurit dyshohet se kanë detyruar biznesmenin Faton Dalladaku që t’i japë mijëra euro, por ja kanë marrë edhe një shtëpi në lagjen Pejton.

Por i dyshuari Ismet Osmani në deklaratën e tij në gjykatore të cilën e mohon se është i përfshirë në veprat për çka akuzohet.

 “Unë fare nuk kam për këtë punë, përveç Ilirit asnjërin prej këtyre të dyshuarave që gjenden në sallë nuk i njoh. Mentorin e njoh se e kam kojshi, nuk janë të vërteta këto që thuhen për mua, ndërsa unë qe pesë herë jam marrë në pyetje për këtë punë” thotë Ismet Osmani.

Por biznesmeni Faton Dalldaku thotë se i qëndron parapa deklaratave që i ka dhënë në Prokurori lidhur me këtë rast.

“Unë rri prapa deklaratave që i kam dhënë nuk dua të ndryshoj sepse është fazë e ndjeshme, për këtë punë nuk flasë”, deklaron Faton Dalladaku, biznesmen.

E avokati i Ismet Osmanit, Alban Arifi thotë se klienti i tij është i pa fajshëm.

Sipas tij nuk ka asnjë fakt që Curri është i përshirë në këtë rast dhe për këtë duhet të merret vendim për pushim të hetimeve.

 “Arrestimi i tyre ka qenë ma shumë i orkestruar nga ndonjë indikator tjetër sesa ka të bëj me dyshimet për veprën penale që akuzohet klienti im, pala e dëmtuar asnjëherë nuk ka pas asnjë raport financiar me të mbrojturin tim, as pala e dëmtuar nuk ka citu që ka pas një marrëveshje me të mbrojturin tim”, Alban Arifi, avokat i Ismet Osmanit.               

E Prokuroria e Prishtinës me anë të një përgjigje e ka konfirmuar se tashmë janë intervistuar të gjithë të dyshuarit, teksa nuk kanë dhënë më shumë detaje.

“Lidhur me rastin ne fjalë, për të cilin keni kërkuar informata, ju njoftojmë se Prokurori i rastit, ka ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore, po ashtu janë marrë në pyetje palët e përfshira në këtë rast.

Ndërsa, sa i përket zgjidhjes përfundimtare të rastit në fjalë, do të njoftoheni me kohë”, thotë Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë së Prishtinës.

Megjithatë Ismet Osmani i njohur me nofkën “Curri”, është liruar nga paraburgimi kohë më parë.

Masa e sigurisë që i ishte vënë atij i është zëvendësuar në këmbim të dorëzanisë prej 50 mijë euro.


(Kosova Sot Online)