Rrëmbyesi i Filipineve i liron mbi 30 persona të marrë peng në mëngjes

  • 02 March 2020 - 14:58
Rrëmbyesi i Filipineve i liron mbi 30 persona të marrë peng në mëngjes

Zyrtarët e sigurisë thanë se një rojë e shkarkuar së voni nga puna në një qendër tregtare në Manila, i cili i kishte rrëmbyer mbi 30 persona nën kërcënimin e armës, është larguar nga ndërtesa ku po i mbante pengjet.

I identifikuar si Archie Paray, ish-roja u largua nga qendra tregtare në orët e mbrëmjes. Ai u lejua të fliste para medieve në lidhje me vështirësitë me të cilat është përballur në vendin e punës dhe problemet me shefat, të cilët i akuzoi për korrupsion dhe abuzime.

“Ai është ndier keq, sepse është larguar nga puna”, tha kryetari i qytetit, duke shtuar se sulmuesi ishte përpjekur t’i bindte ish-kolegët që të bëhen pjesë e planit të tij, por kishte dështuar.

Dyshohet se rrëmbyesi dhe personat e marrë peng ndodheshin në katin e dytë të kompleksit ku ai punonte. Personat që ndodheshin në qendrën tregtare janë larguar nga policia, ndërsa njësia speciale e forcave të sigurisë tashmë ndodhet brenda ndërtesës.

Tri vjet më parë, një person i armatosur i kishte vrarë 35 persona, ndërsa më vonë ishte gjendur i vdekur. Autoritetet kishin thënë se sulmuesi kishte bërë vetëvrasje, shkruan “Associated Press”.

(Kosova Sot Online)