Tregon analisti i njohur: Ja me çka duhet të shpërblehet Kosova në shkëmbim të heqjes së taksës ndaj prodhimeve serbo - boshnjake

  • 02 March 2020 - 18:10
Tregon analisti i njohur: Ja me çka duhet të shpërblehet Kosova në shkëmbim të heqjes së taksës ndaj prodhimeve serbo - boshnjake

Me që po kërkohet me ngulm, nga BE dhe SHBA-ja, heqja e taksës para rifillimit të dialogut me Serbinë, pse të mos e shfrytëzojmë rastin, që edhe ne të marrim diçka në këmbim të taksës; bie fjala, nga BE-ja të nxjerrim liberalizimin e vizave për qytetarët kosovarë apo nga SHBA-ja të kërkojmë që të iniciojë në KS të OKB-së nxjerrjen e një rezolute të re që hedhë poshtë Rezolutën 1244 e Këshillit të Sigurimit, e cila e njehë Kosovën si pjesë të Jugosllavisë, përkatësisht Serbisë. Sikurse BE-ja ashtu edhe OKB-ja janë përgjegjëse për izolimin 21 vjeçar të Kosovës dhe 12 vjet si shtet i pavarur”, thotë Zeqa për “Kosova Sot Online”.

 

Qeveria e Kosovës, respektivisht Kryeministri Albin Kurti, në funksion të heqjes së përshkallëzuar të taksës ndaj prodhimeve me origjinë serbo boshnjake, ka marrë vendim që tarifa për lëndën e parë që vjen në Kosovë nga Serbia dhe Bosnja, të hiqet nga data 15 mars. Mirëpo Ky vendim akoma nuk ka kaluar për votim në kabinetin qeveritar. Zëvendëskryeministri i parë Avdullah Hoti ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do ta votojë në mbledhjen e qeverisë propozim vendimin e Kurtit për heqjen e taksës. E ndërkohë, vendimi i Kryeministrit Kurti për taksën si i pjesshme dhe me kushte ndaj Serbisë, është kundërshtuar nga përfaqësuesi i SHA-ve në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, derisa është përkrahur nga vende me ndikim të Bashkimit Evropian. Lidhur me këtë situatë shumë të pa qartë që është krijuar pas këtij vendimi të kryeministrit Kurti, për “Kosova Sot Online” ka folur analisti politik Florim Zeqa.

 

Image
Florim Zeqa

Sipas analistit Zeqa, propozim vendimi 7 pikësh për heqjen e taksës ndaj Serbisë nuk është gjë tjetër veç një dorëzim pa kushte ndaj presonit ndërkombëtar dhe të Serbisë nga ana e ekzekutivit të Kosovës, kurse mos mbështetja eventuale e LDK-së ndaj këtij propozimi, e rrezikon seriozisht edhe qeverinë, duke provokuar zgjedhje të reja . “Vendimi i Qeverisë së Kosovës që nga data 15 mars 2020 të hiqet tarifa për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, pa reciprocitet dhe pa asnjë kusht ndaj Serbisë, është pak më tepër se dorëzim përballë presionit ndërkombëtar. Heqja e taksës pa kushte ndaj Serbisë do ta dobësoj akoma më shumë pozicionin e Kosovës në dialog me Serbinë”, thotë analisti politik Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”. Sipas tij, pavarësisht presionit ndërkombëtar, nuk duhet besuar shumë në kërkesat e zyrtarëve perëndimor, e aq më pak të atyre zyrtarëve, vendet e të cilëve nuk e kanë njohur pavarësinë e shtetit tonë. Zeqa konsideron se heqja e taksës ndaj Serbisë nuk duhet bërë me nxitim, por gjithsesi vetëm më koordinim dhe garancione të sigurta që do të jepen nga miqtë ndërkombëtar për procesin nëpër të cilin do të zhvillohet dialogu dhe respektimin e kushteve që do I vihen shtetit serb. Po ashtu duhet të ketë edhe koncesus politik me opozitën për një veprim të tillë të interesit nacional. “Pavarësisht faktit se vënia e taksës ishte bërë kokë në vete nga ish kryeministri Haradinaj apo në koordinim të ish partnerëve qeverisës, heqja eventuale e taksës nuk guxon të ndodhë kokë në vete. Përveç koordinimit mes partnerëve të koalicionit qeverisës, duhet koordinim edhe me opozitën dhe faktorët tjerë relevant vendor. Nëse lëshon pe Albin Kurti përballë presionit ndërkombëtar, Grenellit, dhe presionit të partnerit qeverisës, LDK-së për heqjen e tërësishme të taksës pa kushte, përveç dështimit personal, Kosovës do t'i shkaktojë dëmin e pa riparueshëm politik, thotë Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Sipas analistit Zeqa, Kosova nuk duhet të mbetet tani duarthatë krejtësisht nga vendimi për heqjen e taksë, por gjithsesi duhet të shpërblehet me veprime konkrete madje të interesit strategjik e ndërkombëtar. “Me që po kërkohet me ngulm, nga BE dhe SHBA heqja e taksës, para rifillimit të dialogut me Serbinë, pse të mos e shfrytëzojmë rastin, që edhe ne të marrim diçka në këmbim të taksës; bie fjala, nga BE-ja të nxjerrim liberalizimin e vizave për qytetarët kosovarë apo nga SHBA-ja të kërkojmë që të iniciojë në KS të OKB-së nxjerrjen e një rezolute të re që hedhë poshtë Rezolutën 1244 e Këshillit të Sigurimit, e cila e njehë Kosovën si pjesë të Jugosllavisë, përkatësisht Serbisë. Sikurse BE-ja ashtu edhe OKB-ja janë përgjegjëse për izolimin 21 vjeçar të Kosovës dhe 12 vjet si shtet i pavarur”, thotë Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”. Ai e vlerëson si mjaft serioze edhe deklaratën e zëvendëskryeministrit të parë nga LDK-ja, Avdullah Hotit që vendimi për taksën nuk do të mbështete për votim nga ana e LDK-së, si deklaratë që edhe mundë ta përçaj keq funksionimin stabil të koalicionit qeverisës. “Ndryshe, deklarata e zv. kryeministrit të parë, Avdullah Hoti se “LDK-ja nuk e voton në mbledhjen e qeverisë propozimin e Kurtit për heqjen e taksës,..."LDK nuk rri në qeveri nëse nuk hiqet taksa pa kushte,...një qeveri e cila e izolon veten, nuk mund të çojë përpara agjendën e Kosovës, është një kërcënim i hapur, ngjashëm me kërcënimet e presidentit Thaçi.

Zv. kryeministri Hoti qëllimshëm po harron se, Kosovës izolimin 12 vjeçar pas njohjes ndërkombëtare nuk ia shkaktoi Albin Kurti dhe kjo qeveri, por pikërisht ata që po i vënë kushte Kosovës për nënshtrim para Serbisë. Për më tepër se kaq deklaratat e Hotit e dëshmojnë fragjilitetin e kësaj qeverie dhe qarjet e para në koalicionin VV-LDK, të cilat shumë shpejtë mund ta çojnë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme. Arsyeja e vërtetë e mos pajtimeve të LDK-së me partnerin qeverisës nuk është taksa, por "fshesa" e pastrimeve në borde dhe paralajmërimi i VETTING-ut, i cili për aq sa i prekë pushtetarët paraprak, do e prekë edhe LDK-së si pjesë e pandarë e pushteteve të kaluara”, thotë analisti politik Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)