Banorët e Kamenicës protestojnë kundër reformës në arsim

  • 03 March 2020 - 12:59
Banorët e Kamenicës protestojnë kundër reformës në arsim

Vazhdojnë kundërshtimet e reformës në arsim në Komunën e Kamenicës.

Kundër reformës në arsim në këtë komunë para Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), kanë protestuar mësimdhënës, nxënës e prindër nga shkolla fillore “Hasan Prishtina”, në Busavatë të Kamenicës.

Nxënësit e kësaj shkolle kanë mbajtur në duar pankarta me të cilat i janë drejtuar, ministres së Arsimit, Hykmete Bajrami, kryetares së Kuvendit Vjosa Osmani e kryeministrit Albin Kurti.

“Vjosë e Albin, ne jemi duke vuajtur”, “Duam librat tona”,  shkruante në disa nga pankartat që mbanin në duar nxënësit e kësaj shkolle.

Drejtori i shkollës “Hasan Prishtina” në  Busavatë, Abedin Maliqi  i ka bërë thirrje MASHT-it, që ta ndalojë reformën e ndërmarrë nda kryetari Qëndron Kastrati.  Ai e ka porositur Kastratin që tërhiqet nga reforma.

“Për 72 vite fëmijët morën dije në këtë shkollë. Nuk e pata të vështirë të jem me 11 mars të vitit 1981 në Mnezën e studentëve, nuk e pata të vështirë të jem i rrethuar së bashku me studentët në vitin 1981 nga Jugosllavia. Nuk e pata të vështirë të solidarizohem me minatorët e Trepçës.  Nga 2 shtatori po e kam shumë të vështirë të gjendem përballë  policit  të Kosovës. Po e kam të vështirë të dal këtu sepse këtë gjellë që po e përgadit Qëndron Kastrati e bënë vetëm Beogradi.”, ka thënë drejtori Maliqi.

Ndërsa, Feim Maliqi nga Këshilli i Prindërve ka thënë se nga kjo reformë po mbyllet shkolla e Busavatës e cila ka 104 nxënës.

“Shkolla ku thotë Qëndroni t’i dërgojmë fëmijët është kancerogjene.  Nuk do të lejojmë të mbylley shkolla. Hedhim poshtë memorandumin e nënshkruar nga MASHT dhe Qëndron Kastarti , ku thuhet se çdo vendim do ta marrin së bashku me  komunitetin”, ka thënë Feim Maliqi.

Ndërsa nxënësja Almedia Maliqi ka recituar një vjershë për shkollën.

Ndryshe , Komuna e Kamenicës me gjithë ndryshimet, zotohet se nuk do të heqin dorë nga reforma.

Reforma në Kamenicë është ndarë në dy faza. Faza e parë është aplikuar në gjysmë vjetorin e parë të këtij viti shkollor dhe ka përfshirë fshatrat Krilevë, Busavatë, Strezoc e Tuxhec. Ndërkaq, faza e dytë që edhe është pezulluar ka përfshirë fshatrat Koretin, Topanicë e Petroc.

(Kosova Sot Online)