Arrestohet në Suedi i dyshuari për vrasjen e prindërve në Prizren

  • 03 March 2020 - 15:44
Arrestohet në Suedi i dyshuari për vrasjen e prindërve në Prizren

Institucionet e drejtësisë më në fund kanë arritur që t’i bien në gjurmë djalit të vogël të famljes Hadri, i cili po kërkohet për vrasjen e prindërve të tij, Durim dhe Suada Hadrit. Ai është arrestuar sot. Në hetimet për këtë rast janë përfshirë edhe autoritetet suedeze.

Lajmin për media e ka konfirmuar Prokuroria Themelore e Prizrenit.

“Prokuroria Themelore në Prizren, njofton opinionin se sot me datë 03.03.2020 është arrestuar A.H., i dyshuar për vrasjen e prindërve të tij në lagjen “Ortakoll” në Prizren. I njëjti, është arrestuar në Suedi nga autoritetet suedeze, në bazë të urdhër arrestit ndërkombëtar të Prokurorisë Themelore në Prizren. 

Prokuroria Themelore në Prizren, njofton se do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në bazë të Ligjit për Bashkëpunim Ndërkombëtar, dhe do të paraqesë kërkesë për ekstradim”

Vrasja e çiftit që jetonte në Stokholm dhe kishte shtetësi suedeze, ishte bërë lajm në mediat e këtij shteti.

Policia suedeze kishte thënë se është e përfshirë në hetime.

“Siç ndodh zakonisht për ngjarje që ndodhin jashtë vendit, janë autoritetet lokale që merren me hetimet paraprake. Policia suedeze është duke ndihmuar në këtë rast”, kishte thënë zëdhënësja Nadia Jaber.

Ndërkohë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Linn Duvhammar, kishte deklaruar se Qeveria suedeze është në dijeni të ngjarjes.

Ndryshe, sipas statistikave të Policisë së Kosovës, që ka siguruar media, vetëm gjatë vitit të kaluar në vend kanë ndodhur 17 vrasje, 10 prej të cilave kishin qenë vrasje të rënda.

Bazuar në këto të dhëna, shumica e këtyre vrasjeve kanë ndodhur në Prishtinë dhe Prizren. Ndërkohë, në Pejë, që më parë përmendej për vrasjet e shumta, gjatë 2019’s nuk është kryer asnjë vrasje.

(Kosova Sot Online)