Rastet e profilit të lartë të korrupsionit, Prokuroria i reagon Blerim Rekës

  • 03 March 2020 - 16:26
Rastet e profilit të lartë të korrupsionit, Prokuroria i reagon Blerim Rekës

Prokuroria e Shtetit ka reaguar ndaj deklaratave të Ministrit të Integrimeve Evropiane, Blerim Rekës, rreth rasteve të shënjestruara. Sipas prokurorisë, deklarimet e Rekës nuk janë të sakta.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, Prokuroria ka njoftuar se  se nga 61 raste të shënjestruara, 48 prej tyre janë me aktakuza, ndërkaq, 32 raste për të cilat janë ngritur aktakuza i përkasin natyrës korruptive ku janë të përfshirë 229 persona të ndryshëm.

“Gjithashtu, nga 61 rastet e përgjithshme, 16 raste janë me aktakuza që i përkasin natyrës së krimit të organizuar, ku janë të përfshirë 155 persona. Ndërkaq, 14 raste kanë vendim të formës së prerë, 17 raste janë vendosur në shkallë të parë, 17 raste i kemi me shqyrtim gjyqësor, 8 raste janë në fazën e hetimeve ku janë të përfshirë 99 persona, për 4 raste kanë pushuar hetimet ku kanë qenë të përfshirë 11 persona, si dhe 1 rast me pezullim të hetimeve ku është i përfshirë 1 person”, thuhet në komunikatë.

Ndryshe, Reka ka deklaruar sot se prej  61 rasteve të profilit të lartë të korrupsionit nuk është përfunduar asnjë.

“Në këtë drejtim poashtu theksova edhe procesin e Liberalizimit të Vizave ku potencova edhe një herë çështjen e 61 rasteve të shënjestruara të profilit të lartë të krimit të organizuar dhe të korrupsionit ku nuk janë dorëzuar prova për përfundimin e tyre gjyqësore, gjë e cila po kërkohet prej shteteve hezituese në vendimmarrjen e tyre pozitive të liberalizimit të vizav”, ka shkruar Reka. 

Komunikata e plotë:

Sqarim nga Prokurori i Shtetit

Prishtinë, 03 mars 2020 – Sot, në media është deklaruar Ministri i Integrimeve Evropiane, z.Blerim Reka, i cili nder të tjera ka theksuar se “Prej  61 rasteve të profilit të lartë të korrupsionit nuk është përfunduar asnjë, atëherë mos të habitemi pse po ngec ky proces”.

Andaj, Prokurori i Shtetit sqaron opinionin dhe Ministrin e Integrimeve Evropiane, z.Blerim Reka, se pohimet e tij nuk janë të sakta, pasi që deri më tani, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, janë shënjestruar 61 raste me gjithsej 459 persona të korrupsionit dhe të krimit të organizuar.

Po ashtu, njoftojmë opinionin, se nga 61 raste të shënjestruara, 48 prej tyre janë me aktakuza, ndërkaq, 32 raste për të cilat janë ngritur aktakuza i përkasin natyrës korruptive ku janë të përfshirë 229 persona të ndryshëm.

Gjithashtu, nga 61 rastet e përgjithshme, 16 raste janë me aktakuza që i përkasin natyrës së krimit të organizuar, ku janë të përfshirë 155 persona.

Ndërkaq, 14 raste kanë vendim të formës së prerë, 17 raste janë vendosur në shkallë të parë, 17 raste i kemi me shqyrtim gjyqësor, 8 raste janë në fazën e hetimeve ku janë të përfshirë 99 persona, për 4 raste kanë pushuar hetimet ku kanë qenë të përfshirë 11 persona, si dhe 1 rast me pezullim të hetimeve ku është i përfshirë 1 person.

(Kosova Sot Online)