Haradinaj thotë se Kurti është dashur të këshillohet me Uashingtonin për taksën

  • 03 March 2020 - 20:36
Haradinaj thotë se Kurti është dashur të këshillohet me Uashingtonin për taksën

Deputeti i AAK’së Daut Haradinaj, duke folur për konferencën e Albin Kurtit, ku ky i fundit e akuzoi presidentin Hashim Thaçi për marrëveshje sekrete me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO’s, tha se Kurti me atë konferencë i bëri favor presidentit.

“Këto lëvizjet e zotëri Kurtit nuk i kanë bërë favor Kurtit, përkundrazi e kanë fuqizuar presidentin. Orientimi ynë është euroatlantik dhe kjo nuk ka asnjë dilemë. Kur flasim për NATO’n, duhet të kemi shumë kujdes. Kurti është në kompetenca të plota si ekzekutiv, ai i ka 5 mijë ushtarë, i ka 11 mijë policë, e ka inteligjencën, i ka të gjitha, le të urdhërojë në veri, pse po pret? Një mijë arsye mund t’i kesh për ta shkarkuar presidentin përveç kësaj, këtë e di edhe zotëri Kurti edhe të gjithë ata që e kanë këshilluar, nuk duhet vrapuar pas këtyre lajmeve sepse nuk mund të prodhojnë efekt”, tha Haradinaj në Rubikon.

Sipas deputetit të AAK’së, Kurti është dashur të këshillohet me Uashingtonin para se të marrë vendim për taksën.

“E para, Kurti nxitoi sepse nuk arriti marrëveshje me Uashingtonin ose me përfaqësuesin e presidentit amerikan dhe me e përmbyllë këtë kapitull. E dyta, u nënshtrua lehtë, pa i ardhur presioni serioz paralajmëroi masat e lehtësimit, dhe e treta, Kurti me këtë veprime po vetëizolohet dhe po i jep mundësi fuqiplotë presidentit të Republikës. Mund të thoni, ‘na ka pyet, nuk na ka pyet’, por pasojat do t’i trashëgojmë të gjithë, si Kurti, si ne, si qytetarët”, tha ai.

“Ne i kemi thënë po dhe do t’i themi po heqjes së taksës në minutën që Serbia e pranon pavarësinë e Kosovës. Presioni nuk duhet t’i ushtrohet Kosovës por Beogradit”.

“Ne shumë më të këqija i kemi raportet tregtare me Shqipërinë, binduni, shkoni merrni ju tash kompani transportuese të Kosovës dhe shikoni, të zitë e ullirit e heqin deri sa të mbërrin në sektorin e shitjes”, theksoi Haradinaj.

Sipas Haradinajt, taksa krahas ndikimit politik ka pasur edhe ndikim ekonomik.

“Fermerët tanë e kanë dërguar qumështin në pikat grumbulluese me 15 cent, sot fermerët tanë e dërgojnë me 44 cent. Litri i qumështit në markete është me çmimin e njëjtë. Vetëm për dallim se pse u rritë ai çmim aty, është se ne nuk e marrin më qumështin pluhur në Serbi, nuk e marrin më lëndën e parë prej Serbisë por e stimulojnë bujkun tonë, paguajnë ca centë më shumë dhe xhepi i fermerit tonë është më i mbushur”, tha Haradinaj.


(Kosova Sot Online)