Aktakuzë ndaj gjyqtarit dhe policit për ushtrim ndikimi

  • 04 March 2020 - 15:53
Aktakuzë ndaj gjyqtarit dhe policit për ushtrim ndikimi

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Speciale, kundër dy të pandehurve me inicialet R.I dhe B.G. për shkak të veprës penale “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424 paragrafi 1 të KPK-së.

“Prokuroria Speciale njofton se i pandehuri R.I. në cilësi të personit zyrtar, gjyqtar në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Përgjithshëm, Dega Skenderaj, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka pranuar përfitim pasuror me pretendimin që i njëjti është në gjendje të ushtrojë ndikim të padrejtë mbi vendimmarrjen e personit zyrtar. Po ashtu, i pandehuri më datën 28.08.2019, në veturën e dëshmitarit F.Z. derisa së bashku po udhëtonin nga Skenderaj për në Prishtinë, ka marr nga dëshmitari të hollat në shumë prej 1.500.00€ (njëmijepesëqind euro), me qëllim që i pandehuri të ushtrojë ndikimin e pa drejtë tek Kryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, për të marrë vendim për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit me burgim, i shqiptuar me Aktgjykimin e formës së prerë të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, të datës 26.07.2018 ndaj dëshmitarit F.Z. në kohëzgjatje prej katër (4) vjet e dhjetë (10) muaj dhe ushtrimit të ndikimit të njëjtë tek gjyqtarët e Gjykatës Supreme të Kosovës për prishjen e aktgjykimit të lartcekur me mjetin e jashtëzakonshëm juridik, kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë” thuhet në komunikatë.

Me këto veprime i pandehuri R.I. ka kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424 paragrafi 1 të KPK-së.

Gjithashtu, i pandehuri B.G. në cilësi të personit zyrtar, polic në Policinë e Kosovës, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka pranuar përfitim pasuror me pretendimin që i njëjti është në gjendje të ushtrojë ndikim të padrejtë mbi vendimmarrjen e personit zyrtar, ashtu që i njëjti më 28.08.2019, në veturën e dëshmitarit F.Z., në Fushë Kosovë, ka marr nga dëshmitari të hollat në shumë prej 1000€ (njëmijë euro) me qëllim që i pandehuri të ushtrojë ndikim të padrejtë tek gjyqtarët e Gjykatës Supreme të Kosovës për prishjen e aktgjykimit të formës së prerë të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, të datës 26.07.2018, me mjetin e jashtëzakonshëm juridik, kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë, aktgjykim me të cilin dëshmitarit i ishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej katër (4) vjet e dhjetë (10) muaj.

Me këto veprime i pandehuri B.G. ka kryer vepër penale “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424 paragrafi 1 të KPK-së.

(Kosova Sot Online)