Vuçiq: Serbët preferojnë një ‘konflikt të ngrirë’ me Kosovën

  • 05 March 2020 - 08:38
Vuçiq: Serbët preferojnë një ‘konflikt të ngrirë’ me Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka qenë në Uashington për takime me zyrtarë të lartë të SHBA-së.

Gjatë kësaj vizite në Uashington, Vuçiq ka dhënë një intervistë për Foreign Policy, për të diskutuar ndër tjerash dhe rreth marrëdhënieve Serbi-Kosovë. 

Në këtë drejtim, duke folur rreth hapave të ardhshëm në raport me Kosovën, Vuçiq ka thënë se shpreson që Kosova do të largojë taksën dhe kjo sipas tij do të ndodh për shkak të presionit amerikan.

Përndryshe, konsideron Vuçiq, Kosova kurrë nuk do ta hiqte taksën.

“Nuk shoh se si duhet të përfundojë i gjithë procesi, cila do të ishte substanca e një zgjidhjeje përfundimtare të mundshme që dikush mund të na propozojë. Unë mezi pres të krijoj lidhje më të mira ekonomike, kur do të fillojmë ta kuptojmë më mirë njëri-tjetrin. Dhe ne kemi nevojë për një dialog për ta arritur atë. Ne kemi nevojë për më shumë bisedime”, ka thënë Vuçiq.

Ndërsa në pyetjen se nëse Kosova do të largonte taksën ndaj produkteve serbe, a do të ishte Serbia ajo që do të përgjigjej me ndaljen e fushatës për tërheqjen e njohjes së Kosovës, presidenti serb ka thënë:

“…Thjesht duhet të kthehemi në të njëjtat pozicione që kemi pasur përpara se të vendosnin ato tarifa. Dhe unë mendoj se është shumë e logjikshme t’ju them të vërtetën. Unë e kuptoj [domosdoshmërinë] për një dialog të vërtetë dhe e kuptoj domosdoshmërinë e zgjidhjes së problemit, gjë e cila nuk është e lehtë për mua ta them, sepse nëse pyetni shumicën dërrmuese të njerëzve në Serbi, ata do të preferonin një konflikt të ngrirë. Unë nuk i përkas asaj shumicë dërrmuese”.

Presidenti serb është pyetur rreth asaj se cila do të ishte një zgjidhje për situatën me Kosovën që mendon se do të ishte e pranueshme për të dhe që mendon se mund ta “shiste” për publikun serb.

Në këtë drejtim, Vuçiq ka thënë se duhet të vazhdohet me dialogun dhe me të gjitha përpjekjet e nevojshme për të gjetur një kompromis të mundshëm.

“Dhe përsëri, unë nuk e di se si mund të duket, por duhet të bëhet në një mënyrë që do të ishte një humbje për të dy palët, në mënyrë që ajo të ishte një fitore e vogël për të dy palët. Të dy duhet të marrim garanci për një të ardhme shumë më të mirë, shumë më të mirë”.

(Kosova Sot Online)