Shpërthen Profesori i njohur: Kështu po dështon shteti, po ikin edhe qytetarët

  • 05 March 2020 - 14:15
 Shpërthen Profesori i njohur: Kështu po dështon shteti, po ikin edhe qytetarët

“Kur mundësitë për punësim lojal e legal, në vendin tonë pothuaj se janë kurrfarë, ndaj edhe synimet për emigrim "kah këmbët koka", janë intensive dhe për aq ky është bërë një fenomen shqetësues  i rritjes së vazhdueshme të emigracionit. Në këtë ndërlidhje rezulton edhe rënia evidente e natalitetit, kryesisht nga shkaku kryesor i kushteve për krijim të familjeve të të rinjve e të rejave ngase,  në radhë të parë, shumica e tyre janë të papunësuar, nuk kanë gjasa të pritshme për punësim”, thotë profesor Smaka për “Kosova Sot Online”.

Profesori i së drejtës Riza Smaka, kërkon nga Qeveria e re e Kosovës që ti jep prioritet të veçantë, zhvillimit ekonomik, të stimulimit të bizneseve port hapje të vendeve të reja të punës, në mënyrë që të parandalohet tendenca në rritje e migrimit të qytetarëve të rinj jashtë vendit. Këtë shqetësim profesor Smaka e ka ngritur pas publikimit të raporteve të vazhdueshme nga instancat zyrtare të shtetit të Kosovës, Enti i Statistikave dhe MPB-ja, që japin shifra në rritje për largimin e qytetarëve drejtë vendeve perëndimore, në kërkim të një jete më të mirë, por edhe për rënien drastike të natalitetit në vend, si rezultat i politikave sociale. Të dhënat zyrtarë të Agjencisë së Statistikave të Kosovës flasin për trendin në rritje zbrazjes së shtetit dhe rënien e numrit të lindjeve, që të dyja këto trendë negative të imponuara nga stagnimi në zhvillimin ekonomik dhe mungesa e perspektivës. Në vitin 2012, numri i popullsisë rezidente në Kosovë, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës të publikuara në raportet e titulluara “Vlerësimi i Popullsisë”, ka qenë 1,820,631 banorë, ndërsa në vitin 2018, numri i banorëve rezidentë ishte 1,795,666.  Sipas një raporti mbi migrimin të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, thuhet se për periudhën 2016-2018, Kosova ka humbur rreth 2 për qind të popullsisë së vendit, kryesisht grupmoshat e reja 25-44 vjeç.

Smaka thotë se trendi i rënies së numrit absolut të popullsisë, në përgjithësi, është proces socio-ekonomik e politik i pranishëm në të gjitha vendet e Evropës, ku më shumë e ku më pak, por në vendin tonë kjo që po ndodhë është tepër shqetësuese si pasojë e zhvillimeve dramatike të ushtrimit të dhunës nga vitet 90-ta, dhe nuk po ndalon as pas pavarësisë, për shkak të ngecjes së madhe të zhvillimit ekonomik dhe kapjes së shtetit nga krimi e korrupsioni.

Image
Riza Smaka

“Në vendin tonë dominojnë disa veçanti specifike që kishin dhe kanë influencë në këtë fenomen. Veçanërisht gjatë periudhës 1989-99 të rinjtë e të rejat e vendit tonë emigronin për shkak të dhunës shtetërore serbe kundër shqiptarëve. Pas vitit 1999 deri në aktualitet procesi i emigrimit të popullatës së re të vendit tonë ka vijuar pandalshëm. Emigrimi i tillë është pasojë e qeverisjes jo kompetente, shkallës së lartë të korrupsionit në administratën  publike, në ekzekutiv, në prokurori e gjyqësor, veprimi i krimit të organizuar,nepotizmi, familjarizim, zbatimi selektiv i ligjit në fuqi, pasurimi ilegal në shkallë të lartë të jo pak funksionarëve publik në një anë dhe trendi i varfërimit të skajshëm të shumicës së popullit të Kosovës, në anën tjetër. Qeveritë e deritashme, në drejtim të eliminimit të dukurive në fjalë ishin të jo efikase”, thotë Profesor Smaka për “Kosova Sot Online”.

Në këto kushte të ngecjes së zhvillimit, mungesës së zhvillimit ekonomik dhe  të korrupsionit gallopnat, sipas profesorit Smaka, mundësia për të gjetur një vend pune vazhdon të mbetet për shumicën një ëndërr e pa realizueshme, prandaj të rinjtë, dhe mosha mesatare e aftë për punë, e përgatitur profesionalisht, mësynë botën në sy për të gjetur zgjidhje. “Kur mundësitë për punësim lojal e legal, në vendin tonë pothuaj se janë kurrfarë, ndaj edhe synimet për emigrim "kah këmbët koka", janë intensive dhe për aq ky është bërë një fenomen shqetësues i rritjes së vazhdueshme të emigracionit. Në këtë ndërlidhje rezulton edhe rënia evidente e natalitetit, kryesisht nga shkaku kryesor i kushteve për krijim të familjeve të të rinjve e të rejave ngase, në radhë të parë, shumica e tyre janë të papunësuar, nuk kanë gjasa të pritshme për punësim”, thotë profesor Smaka për “Kosova Sot Online” .

(Kosova Sot Online)