S’ka datë për Samitin që Macron ua premtoi Kosovës e Serbisë, përjashtohen marsi e prilli

  • 05 March 2020 - 18:02
S’ka datë për Samitin që Macron ua premtoi Kosovës e Serbisë, përjashtohen marsi e prilli

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kishte shprehur gatishmërinë e tij për t’u përfshirë në përpjekjet për rinisjen e dialogut Kosovë-Serbi, nëse kryeministri Albin Kurti vendos të heq taksën 100 % ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës. Nga Brukseli e kanë vlerësuar pozitivisht hapin e parë për heqjen e taksës duke thënë se ofron mundësi për rifillimin e dialogut, por duket se ende s’është koha për një samit në Paris që Macron e kishte premtuar.

Macron në një letër që i kishte  dërguar kryetarit të qeverisë kosovare kishte potencuar se është i gatshëm të organizojë një Samit në Paris për dialogun Kosovë-Serbi, bashkë me kancelaren gjermane, Angela Merkel, dhe Përfaqësuesin e Lartë të BE’së, Josep Borell.

“Hapi i parë duhet të jetë rifillimi i dialogut, për të cilin jam i gatshëm të ndërmjetësoj, duke organizuar një samit në Paris, së shpejti, me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë, në bashkëpunim me kancelaren Merkel dhe përfaqësuesin e lartë të BE’së, Borrell. Rifillimi i dialogut nënkupton veprime nga të dyja palët: pezullimin e tarifës prej 100 për qind nga Kosova, dhe pezullimin e fushatës kundër njohjeve të Kosovës nga Serbia”,  kishte shkruar Macron në letrën e tij, të cilën Kurtit ia ka dorëzuar në Prishtinë, ambasadorja Marie Christine Butel

Megjithatë për momentin një gatishmëri e tillë e Macronit për një takim në Paris ku do të bëheshin bashkë Kosova dhe Serbia, mbetet vetëm në letër.

Sipas burimeve  brenda pallatit presidencial Elysee, s’është planifikuar ende asgjë dhe s’ka kurrfarë date potenciale se kur mund të mbahet një takim i tillë. Ndërkohë është potencuar se s’pritet të ketë diçka në muajin mars apo prill.

“Planifikimet për Samitin e Parisit rreth dialogut Kosovë-Serbi s’kanë nisur akoma. Aktualisht s’kemi ndonjë plan për një Samit të tillë në muajt pasues. S’ka një datë të definuar për një Samit të tillë. Kështu që kemi një datë të papërcaktuar. Por nuk do të ketë diçka për tani, për mars apo për prill, nuk kemi”, kanë thënë ekskluzivisht burime nga Pallati i Elizesë.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, gjatë vitit të kaluar, bashkë me kancelaren gjermane, Angela Merkel, kishin udhëhequr përpjekjet për rinisjen e negociatave Prishtinë-Beograd të cilat u bllokuan për shkak të vendimit për taksë.

Fillimisht dy liderët  kishin organizuar një Samit në Berlin më 29 prill, ndërkohë Samiti i Planifikuar që të mbahej në Paris më 1 korrik 2019 ishte anuluar për shkak të mos ndryshimit të pozicioneve. Kosova në krye me Haradinajn nuk pranonte ta hiqte taksën, ndërkohë Serbia në anën tjetër nuk kthehej në tryezën e negociatave pa u hequr tarifa ndaj mallrave të saj.

Dialogu i ndërmjetësuar nga Brukseli ka mbetur i bllokuar që nga nëntori i vitit 2018. Deri tani nga Brukseli s’është ndërmarrë asnjë lëvizje për të rikthyer në dialog Serbinë dhe Kosovën duke qenë se heqja e taksës vazhdon të zvarritet.

Në anën tjetër ndërkohë viti 2020 është karakterizuar me një involvim të SHBA’së në procesin e negociatave.

Washingtoni ka emëruar dy emisarë specialë, një për Ballkanin Perëndimor dhe një të veçantë për dialogun Kosovë-Serbi. I dërguari i Donald Trump për dialogun, Richard Grenell, deri tash ka arritur të ndërmjetësojë tri marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, derisa kërkon heqje të menjëhershme dhe të plotë të taksës pa kushte shtesë.

Pavarësisht një kërkese të tillë, kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, ka vendosur që të pezullojë vetëm pjesërisht taksën ndaj Serbisë, vendim ky që është mirëpritur nga Bashkimi Evropian por jo edhe nga emisari Grenell.

Mbetet të shihet se a do të pezullohet plotësisht taksa më 1 prill për 90 ditë siç ka potencuar kryeministri Kurti, dhe nëse do të ketë lëvizje nga Bashkimi Evropian dhe shtete anëtare për rikthim të Prishtinës dhe Beogradit në negociata për normalizim të raporteve.


(Kosova Sot Online)