Gjinovci i reagon ministres Bajrami për presion ndaj Senatit të UP-së

  • 06 March 2020 - 11:33
Gjinovci i reagon ministres Bajrami për presion ndaj Senatit të UP-së

Drejtori ekzekutiv i Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim, Rron Gjinovci ka reaguar ndaj Ministres së Arsimit, Hykmete Bajrami për presion të kësaj të fundit ndaj Universitetit të Prishtinës.

Senati i UP-së ka refuzuar avancimin e Ministres Bajrami si profesorit të asocuar, duke e kthyer atë në Këshillin e Fakultetit Ekonomik sipas procedurave në fuqi.

Gjinovci ka shkruar se është zhgënjyer me reagimin kërcënues të Ministres Bajrami ndaj Senatit të UP-së.

“Në anën tjetër më lejoni të shpreh zhgënjimin tim të thellë me reagimin tuaj të pamatur dhe kërcënues ndaj Senatit të Universitetit të Prishtinës, ndaj autonomisë akademike që gëzon ky Senat si dhe ndaj procesit të avancimeve i cili po ndodh aktualisht në Universitetin tonë”, ka shkruar Gjinovci.

Ai ka shkruar se vendimi i Senatit të UP-së është i drejtë për mosavancimin e Ministres Bajrami, pasi deri në afatin e konkursit ajo ka pasur vetëm dy punime të publikuara të vlefshme për avancim.

“Ndërkaq, ju keni vetëm dy punime të publikuara deri në afatin e konkursit, në të cilat mund të identifikoheni si autore e parë ose korrespodente, pra vetëm dy punime të vlefshme për avancim. Punimi i tretë i juaji nuk ka shënim për autorin korrespodent, siç kërkohet me rregullore, dhe në të janë më shumë se dy autorë, pra tre autorë, ndonëse kjo është munduar të fshehet nga Fakulteti Ekonomik, ku ju punoni si profesore, meqë autori i tretë nuk figuron në raportin e buletineve, por figuroni vetëm ju dhe autorja e parë”, ka thënë Gjinovci.

“Kjo do të thotë që ju nuk i plotësoni kriteret për t’u avancuar në pozitën e profesorit të asocuar”, ka shkruar Drejtori i ORCA-s.

(Kosova Sot Online)