Kërkohet ndërhyrje urgjente në diplomacinë kosovare

  • 06 March 2020 - 13:45
Kërkohet ndërhyrje urgjente në diplomacinë  kosovare

“Në të vërtetë, MPJ ka në 90% të rasteve vetëm staf të punësuar në kuadër të militantëve dhe nepotizimit nga partitë politike dhe jo të meritokracisë. Faza e pastrimit është shumë e vështirë, mirëpo një Vetting administrativ mbi punën e tyre, në MPJ, por edhe të punësimit të tyre, do të ishte një pikë kyçe në këtë drejtim për të dalë nga bataku i dështimit apo kapitullimit diplomatik në të cilin jemi tani”, thotë analisti politik Gurakuç Kuçi për “Kosova Sot Online”.

Analistët politik i kanë përshëndetur ndryshimet e filluara nga Qeveria e re e Kosovës, nga MPJ, në strukturën e përfaqësimit nëpër ambasada dhe në përfaqësitë tjera diplomatike jashtë vendit, duke kërkuar që në këtë sektortë zhvillohet një reformë thellë, dhe përfaqësimi në të ardhmen të bëhet tërësisht në baza profesionale dhe jo në strukturë të ngushtë të militantizmit politik, sikur është vepruar në të kaluarën, gjë që e ka dëmtuar shumë jo vetëm imazhin e shtetit, por edhe fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.

Për këtë formë të qasjes në politikën e jashtme, për “Kosova Sot Online” ka folur analisti Gurakuç Kuçi, sipas të cilit tash është momenti i duhur dhe i domosdoshëm që të shkëputet nga militantizmi politik, diplomacia e Kosovës dhe të mos bëhet vazhdimisht pre e ndjekjeve dhe persekutimeve politika stafi i politikës së jashtme i dërguar jashtë vendit. Depolitizimi dhe profesionalizimi i MPJ-së, sipas Kuçit, po bëhet kusht i domosdoshëm për krijimin e një stabiliteti të qëndrueshëm në politikën e jashtme të shtetit të Kosovës, ngase ndryshimi në stafin përfaqësues të MPJ-së jashtë vendit në secilin mandat të ri qeverisës që nuk po arrijnë ta kryejnë mandatin e plotë kushtetues, për pasojë po sjell përfaqësim jo stabil në politikën e jashtme, sepse kjo po dizajnohet vazhdimisht sipas tekeve të grupeve të interesit, pa e përfillur interesin nacional dhe atë strategjik ndërkombëtar të shtetit të ri të Kosovës. Për këtë pasojë, sipas Gurakuç Kuçit kemi edhe njohjet e tërhequra nga shumë shtete, nën ndikimin e Serbisë, sepse ato nuk janë gjë tjetër veq se pasojë e dobësimit të politikës së jashtme të Kosovës të mbushur me militant të politikës.

Image
Gurakuç Kuçi

“Qeveria, së bashku me Ministrinë e Punëve të Jashtme, duhet ta hartojnë një strategji për politikë të jashtme dhe diplomaci dhe të hedhin poshtë gjitha dokumentet e vjetra kinse diplomatike, dhe kjo strategji e re duhet të hartohet në kuadër të interesave, fuqisë dhe fushëveprimit që ka dhe duhet të ketë Kosova. Pas hartimit të kësaj strategjie dhe fillimit të zbatimit të saj duhet ta caktojë një periudhë kohore për zbatimin e saj të ndarë në faza dhe të gjithë ata të cilët dështojnë në fazën e parë duhet të largohen nga MPJ-ja kudo që shërbejnë. Në të vërtetë, MPJ ka në 90% të rasteve vetëm staf të punësuar në kuadër të militantëve dhe nepotizimit nga partitë politike dhe jo të meritokracisë. Faza e pastrimit është shumë e vështirë, mirëpo një Vetting administrativ mbi punën e tyre, në MPJ, por edhe të punësimit të tyre, do të ishte një pikë kyçe në këtë drejtim për të dalë nga bataku i dështimit apo kapitullimit diplomatik në të cilin jemi tani”, thotë analisti politik Gurakuç Kuçi për “Kosova Sot Online”.

Sipas Kuçit, është kthim i madh mbrapa në diplomaci, dështim që duhet të ndëshkohet, humbja e numrit të madh të njohjeve të cilat i kishte fituar Kosova në vitet e para pas shpalljes së pavarësisë, njohje këto që fare lehtë po zhbëhen tani, duke qenë në defanziv të madhe politika e jashtme e Kosovës karshi aktivitetit destruktiv të shtetit serb.

“Humbja e njohjeve është një fakt i fuqishëm mbi paaftësinë e MPJ-së në Kosovë që të sigurojë marrëdhënie me shtetet që e kanë njohur Kosovën dhe t’i mbajë ata karshi interesit të Kosovës, sepse nuk mjafton vetëm një njohje formale që të ruash përkrahjen e një shteti në vazhdimësi, politika dhe diplomacia janë dinamike. Mirëpo, shkarkimet uroj që të mos zëvendësohen pastaj prapë me njerëz militantë dhe nepotizëm nga LVV-ja por edhe që çdo emërim i ri të mos bëhet mbi atë thirrjen boshe të Albin Kurtit se “duhet të marrim të diplomuarit nga jashtë vendit”, pasi vetëm ky kriter është një klishe banale, diskriminues dhe jo-meritokrate”, thotë analisti politik Gurakuç Kuçi për “Kosova Sot Online” .

Pavarësisht se do të ketë sfida në këtë qasje të re, ai thotë se ndryshimi është i domosdoshëm dhe pa të nuk mundë të ecet përpara. “Ndryshimet janë shumë të nevojshme, vështirësitë janë të mëdha por e pamundur asgjë nuk është e pa mundur dhe gjithnjë varet edhe nga qasja konstruktive që do ketë qeveria dhe ministri i jashtëm, duke kërkuar meritokracinë dhe drejtësinë, duke lënë mënjanë inatet dhe hakmarrjen, sepse me këto dy të fundit në të vërtetë vetëm sa mund të dështojë i gjithë procesi dhe të futet edhe më shumë Kosova në batak diplomatik”, thotë analisti politik Gurakuç Kuçi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)