Abdixhiku: Këtu ndahen rrugët tona me Bechtelin, janë të mirëseardhur për projekte tjera

  • 06 March 2020 - 15:27
Abdixhiku: Këtu ndahen rrugët tona me Bechtelin, janë të mirëseardhur për projekte tjera

Ministri i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku e ka quajtur të paprecedentë vendimin e qeverisë së kaluar për zgjatje të ofertës dhe punës për konsorciumin Bechtel Enka.

“Pa tender, pa konkurrencë, pa ofertë – thjeshtë me një vendim. Konsorciumi ndërsa, i kishte kërkuar Kosovës plot 49.6 milionë euro shtesë për tri punë shtesë”, ka thënë ai.

Abdixhiku ka shtuar se koha kur Kosova ka dhënë miliona euro pa bazë është e shkuar, e se Ministria e ka ngritur këtë çështje si urgjente në qeveri.

“Koha kur Kosova jep miliona pa bazë – 49.6 milionë euro më saktësisht – është e shkuar. Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit ka ngritur këtë çështje urgjente në Qeveri. Qeveria ndërsa, sot, me të gjitha votat për e asnjë kundër, anuloj vendimin për këtë angazhim. Nga koha e vendimit të shkuar e deri më sot mund të jenë shkaktuar dëme financiare të cilat do t’i trajtojmë si shtet me ligj e dinjitet”, ka thënë ministri, teksa e ka falendëruar kompaninë Bechtel Enka për punën e bërë deri më tani.

“Bechtel-Enken, ndërsa, e falenderojmë për punët e bëra deri më tani. Rrugëtimi ynë me dy autostradat e deritanishme përfundon sot. Për çdo angazhim tjetër në të ardhmen janë të mirëseardhur të konkurojnë – barabartë me secilën palë tjetër”, tha ai.

(Kosova Sot Online)