Montgomery: S’mund të ketë zgjidhje për Kosovën e Serbinë pa qenë unik Brukseli e Washingtoni

  • 06 March 2020 - 15:46
Montgomery: S’mund të ketë zgjidhje për Kosovën e Serbinë pa qenë unik Brukseli e Washingtoni

Ish-ambasadori amerikan që ka shërbyer në Beograd e Podgoricë, William Montgomery, ka folur rreth situatës së fundit në Ballkanin Perëndimor dhe për fazën finale të dialogut Prishtinë-Beograd.

Montgomery ka thënë se s’mund të ketë një marrëveshje finale mes dy palëve, derisa nuk janë unik dhe të një mendimi Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ish-ambasadori amerikan kështu ka thënë kur është pyetur se si mund të zgjidhet problemi i Kosovës nëse në të njëjtën kohë zhvillohen dy procese paralele, një nga Bashkimi Evropian dhe një nga Shtete te Bashkuara të Amerikës.

Ai tutje ka thënë se marrëveshje nuk mund të arrihet derisa SHBA dhe BE nuk janë të gatshëm të shfrytëzojnë presionin e tyre të fuqishëm që do të përfshinte edhe sanksione ekonomike.

Ish-diplomati amerikan gjithashtu ka përmendur edhe ndasitë politike në Prishtinë si një problem i madh që po ndikon në zgjidhjen e problemit me Serbinë.

Ai ka thënë se çështja e dialogut me Serbinë po shfrytëzohet për konsum të brendshëm politik në Kosovë dhe sipas tij një gjë të tillë e dëshmon edhe kërkesa për tërheqjen e Vlora Çitakut nga posti i ambasadores në Washington.

 Tutje ai ka folur edhe për pozitën e Serbisë dhe Vucicit në këtë proces, duke thënë se kreu i shtetit serb tashmë nuk është duke u parë si problem dhe se po mbahet mirë në proces.

(Kosova Sot Online)