Kosova ndalon fluturimet nga Italia e Veriut pasi atje ka shpërthyer koronavirusi

  • 08 March 2020 - 14:18
Kosova ndalon fluturimet nga Italia e Veriut pasi atje ka shpërthyer koronavirusi

Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar anulimin e përkohshëm të të gjitha fluturimeve që vinë nga Italia e Veriut, për shkak të koronavirusit.

Këtë ai e ka bërë të ditur përmes një statusi në Facebook, ku shkruan se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë ka rekomanduar ndalimin e këtyre fluturimeve.

“Sot, në ora 12:40 kemi pranuar rekomandim emergjent nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë për anulimin e të gjitha fluturimeve që vijnë nga zonat epidemike të Italisë së Veriut – si reflekcion i karantinës së vendosur nga qeveria italiane në betejën kundër Coronavirusit. Si rrjedhojë, kam kërkuar anulimin e përkohshëm të të gjitha fluturimeve që vijnë nga kjo zonë epidemike e cilësuar si zonë me risk të lartë. Fluturimet janë ndërprerë”, ka shkruar Abdixhiku.

Abdixhiku ka shtuar se është në kontakt me Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe atë të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, për të koordinuar kontrollin në Aeroportin “Adem Jashari”.

“Ndjejmë keqardhje për masat e marra – por në situatën e tanishme nuk kemi alternativë. Jam në kontakt të ngushtë me Ministrin e Shëndetësisë Vitia dhe me Ministrin e Punëve të Jashtme Konjufca për të koordinuar kontrollin ne Aeroport dhe asistencën eventuale ndaj udhëtarëve në zonat e rrezikshmërisë së lartë”, ka shkruar Abdixhiku.

(Kosova Sot Online)