Thaçi i reagon Haradinajt: Mos e pengoni arritjen e marrëveshjes, Trump po punon për paqe

  • 08 March 2020 - 15:03
Thaçi i reagon Haradinajt: Mos e pengoni arritjen e marrëveshjes, Trump po punon për paqe

Shefi i Shtetit, Hashim Thaçi, ka thënë se dikush është i interesuar të pengojë arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi e cila do të sjellë njohjen reciproke.

Ky qëndrim i Presidentit Thaçi në Twitter është shkruar një orë pasi Ramush Haradinaj doli kundër formës aktuale të dialogut Kosovë-Serbi ku Presidenti është udhëheqës i këtij procesi.

“Ka shumë interesim të personave të caktuar që ta pengojnë procesin e arritjes së marrëveshjes përfundimtare të paqes mes Kosovës dhe Serbisë. Prandaj, më lejoni ta them përsëri, qartë dhe në mënyrë të zëshme: Po flasim për përfundimin e një konflikti shekullor, duke u përqendruar në zhvillim ekonomik, jetë më të mirë për qytetarët tanë dhe njohje reciproke. Asgjë më shumë dhe asgjë më pak”, ka shkruar Thaçi në Twitter.

“Përsëri, roli i Shteteve të Bashkuara është i domosdoshëm. I dërguari special, Richard Grenell, është duke e bërë një punë të shkëlqyeshme dhe e ka përkrahjen e plotë nga Matt Palmer. Faleminderit, Donald Trump, që po punoni për paqe në botë”, ka shtuar ai.

Kundër Ramush Haradinajt ka dalë edhe Avdullah Hoti. Ai e  ka refuzuar ofertën e Ramush Haradinajt për një konferencë të liderëve për t’u koordinuar në dialogun Kosovë-Serbi.

Zëvendëskryeministri i Parë ka thënë se institucionet që kanë dalë nga zgjedhjet e fundit bartin legjitimitetin për të marrë përgjegjësitë bazuar në ligje e kushtetutë edhe sa përket dialogut me Serbinë.

“Kosova ka institucione legjitime te dalura nga zgjedhjet demokratike te 6 tetorit, te cilat bartin pergjegjesite kushtetuese, perfshire edhe dialogun me vendin fqinj Serbine. Nuk ka nevoje per asnje konference per kete qellim, te brendeshme as te jashtme”, ka reaguar Hoti, në Fb.

“Duhet vetem ushtrim i pergjegjesive kushtetuese nga secili. Kryeministri duhet te marre persiper dialogun ashtu sic e definon edhe aktgjykimi i Gjykates Kushtetuese. Presidentin duhet te qendroje brenda kompetencave te veta kushtetuese”, ka shtuar ai.

Sot, Ramush Haradinaj kërkoi të mbahet një konferencë në Kosovë për Kosovën ku do të dakordoheshin për marrëveshjen finale me Serbinë. Ka thënë se në këtë konferencë duhet të jetë SHBA si ndërmjetësuese ndërsa edhe BE si lehtësuese e dialogut.

 “Konferenca dy ditore e përbërë nga kryetarët e partive politike do t’i ftonin edhe udhëheqësit e dialogut, Amerika dhe lehtësuesit BE. Kjo konferencë e Kosovës në Kosovë fillimisht kishte mundur të krijojë në qëndirm unik Kosovës ku e kishim lehtësuar ndërmjetësuesit Amerikës dhe lehtësuesit BE të arrijmë një marrëveshje”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka thënë se s’mund të ketë udhëheqje të dialogut nga Kosova nga njeriu që ka përkrahur korrigjimin dhe ndarjen e Kosovës. Ka thënë se as Albin Kurti s’mund të jetë në krye të këtij dialogu pasi po synon heqjen e taksës pa na njohur Serbia.

Haradinaj ka folur edhe për presionin amerikan duke thënë se askush s’bën të ofertojë njëanshëm për heqjen e taksës. Ka thënë se Kurti dhe Vjosa Osmani kanë ofertuar me taksën dhe e kanë nxjerr jashtë Kosovës.

“Jam me heq taksën në ndërrim të njohjes finale. Kërko kontratën finale.  Kurti dhe Osmani janë axhami politikë. E kanë dorëzuar krejt procesin te Thaçi. Tash fshihen në kornizën e BE’së”, ka thënë Haradinaj.

Donald Trump po kërkon një marrëveshje të shpejt ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Vitin e kaluar kishte kërkuar që marrëveshje të ishte e pranueshme për të dy palët.

Mirëpo, bisedimet ende s’kanë rifilluar pasi Kosova ende vazhdon ta mbajë në fuqi taksën ndaj produkteve serbe e boshnjake.

Richard Grenell, i Deleguar Special i Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, është përfshirë në një debat me Kryeministrin Albin Kurtin për heqjen e taksës. Grenell po kërcënon me masa ekonomike ndaj Kosovës nëse udhëheqësit kosovarë vazhdojnë të mos përfillin kërkesat amerikane.

Albin Kurti ka premtuar se nga 1 prilli do ta largojë taksën 100 për qind kurse nga 15 marsi vetëm për lëndën e parë.

Në një editorial për një gazetë gjermane, Kurti tha se çdo marrëveshje që arrihet me presion s’do të ketë ndonjë vlerë.

Kosova dhe Serbia kanë hyrë në një dialog të ri prej vitit 2011, pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë tha se shpallja e shtetit kosovar s’ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Janë zhvilluar disa raunde bisedimesh në Bruksel mirëpo s’ka pasur një marrëveshje finale.

Tash, edhe SHBA, por edhe BE kanë kërkuar një Marrëveshje Finale që do të normalizonte raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

(Kosova Sot Online)