Izolimi nga koronavirusi, kosovari i vetëm në tunelin drejt Milanos: Vendi në panik

  • 09 March 2020 - 08:09
Izolimi nga koronavirusi, kosovari i vetëm në tunelin drejt Milanos: Vendi në panik

Italia është vendi më i goditur nga koronavirusi në Europë. Sipas raportimeve të fundit numri i të vdekurve ka kaluar mbi 230 persona ndërsa të konfirmuar janë 5.883 të infektuar.

Zona më e prekur në shtetin italian vazhdon të mbetet Lombardia, ku jetojnë edhe një numër jo i vogël i shqiptarëve, por që fatmirësisht zyrtarisht nuk është raportuar për ndonjë me virusin vdekjeprurës.

Por, paniku vazhdon të jetë i pranishëm, ku shumë institucione tashmë janë mbyllur, përfshirë shkollat, kishat e vendet publike.

Një kosovar që jeton në Lecco, ka dërguar një video në adresë të Indeksonline, duke treguar kështu se në tunelin që lidh këtë rajon më Milanon, nuk ka thuajse asnjë veturë në qarkullim.

“Jemi në tunelin në rajonin e Lomardisë, provinca Lecco, në drejtim të Milanos dhe ora është 21:00, siç shihet shumë pak qarkullim të veturave ka. Vendi është në panik. Autoritetet po bëjnë thirrje mos të dalim, përndryshe kanë me ardhë një pikë që do të ketë edhe arrestime. Deri më 3 prill, zona e Lombardisë do të jetë e mbyllur, as hyrje dhe as dalje”, ka thënë L.I

Emigranti kosovar ka treguar gjithashtu se nga sot është vendosur edhe një rregull në markete, derisa po ballafaqohen me dezinfektues të duarve.

“Nëse shkon në market duhet me prit në radhë sepse vetëm nga 5 karroca i lejojnë me hy, edhe atë vetëm nga një person. Baret e restorantet janë të mbyllura nga ora 18:00 nga nesër gjatë vikendit. Në momentin që merr kafenë nuk ke të drejtë t’i afrohesh shankut, sepse e kanë të vendosun një shirit dhe çdo mëngjes kontrollohen nga karabinierët”, ka treguar ai.

Kujtojmë që sot janë anuluar edhe fluturimet drejt pjesës veriore të Italisë në Prishtinë dhe anasjelltas.

Ndërsa, Italia e Veriut që nga sot do të jetë në karantinë. Kryeministri i Italisë ka thënë se të paktën 16 milionë njerëz tani do të jenë në karantinë në rajonin e Lombardisë dhe gjithashtu në 14 provinca deri në fillim të prillit

(Kosova Sot Online)