Policia e Londrës vret një person të armatosur me dy thika

  • 09 March 2020 - 10:45
Policia e Londrës vret një person të armatosur me dy thika

Një person i armatosur me dy thika është qëlluar për vdekje nga policia në pjesën qendrore të kryeqytetit britanik.

Policia tha se burri i qëlluar u pa duke vepruar në mënyrë të dyshimtë rreth orës 23 e 25 minuta të dielën dhe i kishte nxjerrë dy thika pasi u ndalua nga policia.

Policia u kundërpërgjigj me armë zjarri dhe personi i dyshuar u shpall i vdekur në vendin e ngjarjes. Sidoqoftë, autoritetet nuk besojnë se ky incident është i lidhur me terrorizmin dhe nuk janë duke e trajtuar si të tillë.

Organet e sigurisë i kanë mbyllur disa rrugë në zonën ku ndodhi incidenti, ndërsa policia njoftoi se asnjë pjesëtar i saj nuk është lënduar, shkruan “BBC”.

Kryeqyteti britanik muajve të fundit dhe vitin e kaluar është përballur me rritje të numrit të therjeve me thikë, të cilat shpesh kanë përfunduar në mënyrë fatale.

(Kosova Sot Online)