Vasfije Krasniqi – Goodman nën lot, “Edhe prej kësaj foltore kanë dalë fjalë që neve viktimave na kanë lëndu shumë”

  • 09 March 2020 - 11:54
Vasfije Krasniqi – Goodman nën lot, “Edhe prej kësaj foltore kanë dalë fjalë që neve viktimave na kanë lëndu shumë”

E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Vasfije Krasniqi Goodman, ka folur sot para deputetëve të Kuvendit të Kosovës në seancën e veçantë që është organizuar për Ditën e Gruas.

Krasniqi ka deklaruar se është nder i veçantë për të, që të flasë para deputetëve.

“Është nder dhe emocion i jashtëzakonshëm për mua që të jem sot këtu, në institucionit më të lartë të Kosovës, dua të ju falënderoj për këtë seancë të veçantë.

Ligji i Kosovës neve na quan viktima, po ne jemi të mbijetuara. Tashmë ju e dini se kam pas raste të flas në vende të ndryshme, duke treguar të vërtetën tonë, po, asnjëherë nuk jam ndi si ndihem sot në Kosovë, ndihem mirë kur e di që ka burra që i ndihmojnë gratë e veta, po ndihem shumë keq kur e di që familjarët nuk i mbrojnë, nuk i përkrahin. Ju thonë fjalë që unë këtu nuk muj me i përmend, me çka ballafaqohen”, ka thënë ajo.

Megjithatë, ajo nuk ka mundur t’i mbajë lotët kur ka përmendur, që siç ka deklaruar, disa raste kur në Kuvend të Kosovës janë thënë fjalë që i lëndojnë të mbijetuarit e dhunës seksuale.

“Edhe prej kësaj foltore kanë dalë fjalë që neve viktimave na kanë lëndu shumë”, tha ajo.

“Vendi jonë na stigmatizon. Po ku ishi ju atëherë para 20 viteve, a ishi në tavana kur ju dhunu gruaja nëpër dhoma, e ku e morët ju guximin me lanë atë gru me fmi me e braktisë, ku ishin djemtë që e panë nanën tu ja dhunu edhe e përzunën, po e mban gruan te shpija, pa e ditë se edhe grunë ja kanë dhunu”, tha Krasniqi.

“Ku ishi ju kur u dhunu Jeta 7-vjeçare, e tash ju çka po boni, për me na e lehtësu neve jetën. Duhet me ju ardhë turp që po na viktimizoni për çdo ditë ju neve, nuk po dojmë kurrgjë tjetër prej shteti, përveç drejtësi, po dojmë mbrojtje, me na përkrah me na mbështetë çka na ka ndodhë neve është kanë krim i luftës dhe ju nuk ishi aty me na mbrojtë.

Kam dëgju shpesh se kanë thanë Vasfija e ka lehtë se e ka burrin amerikan, vërtetë ndihna mirë se ai më përkrah, po mos harroni se vëllai im është këtu. Edhe ai është që po mundohet çdo ditë që unë te kam një jetë më të mirë.

Si keni ju ftyrë kur te dini që gruaja juve e vajza ndihet më mirë të shkojë te një shoqatë se sa të mbështeten te ti. Që 20 vjet boll ju kemi duru, ma nuk ju durojmë për atë se çka na keni shti me përjetu”, shtoi, derisa ka kërkuar nga deputetët që të trajtojnë këtë çështje me seriozitet.

“I lusim deputetët që krimet e luftës me i marrë me seriozitet, se boll ke që 20 vjet mos me u dënu kërkush, ju e dini që unë rastin e kam hup, po unë nuk kam me u nalë, kam me luftu që tjerat të kenë drejtësi. Unë e di çka është me luftu për drejtësi e mos me pas kërkan me ta jep një këshillë”, ka thënë ajo. 

(Kosova Sot Online)