Pasi del nga zyra e Thaçit, Haradinaj bën një paralajmërim

  • 09 March 2020 - 14:09
Pasi del nga zyra e Thaçit, Haradinaj bën një paralajmërim

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj sot është takuar me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, lidhur me takimet e këtij të fundit me zyrtarë amerikanë dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Pas përfundimit të këtij takimi, Haradinaj tha se ia ka bërë të qartë Thaçit se nëse në marrëveshjen përfundimtare me Serbinë trajtohet territori i Kosovës apo korrigjimi i kufijve, atëherë procesi do të dështojë ende pa nisur.

“Në rast se trajtohet territori i Kosovës ose korrigjimi i kufijve, atëherë ky proces ka dështu para se të nis. Pra do të jetë i dështuar. Në rast se respektohet integriteti territorial i Kosovës edhe Kushtetuta e vendit, atëherë ka shanca”, tha Haradinaj.

Tutje, Haradinaj tha se Thaçi ka dhënë disa informacione jokonkrete nga detajet e takimeve të tij në SHBA me zyrtarë amerikanë dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

“Nuk ka dhënë ndonjë dokument, por shpjegime ka dhënë se është bisedu për mundësinë e ecjes drejt një marrëveshje përfundimtare zyrtare Kosovë-Serbi. Por nuk kishte ndonjë dokument, nuk kishte ndonjë gjë konkrete, specifike”, tha Haradinaj para gazetarëve.

(Kosova Sot Online)