Pas Kurtit, emisarët e Macron dhe Merkel takohen edhe me Thaçin

  • 10 March 2020 - 09:48
Pas Kurtit, emisarët e Macron dhe Merkel takohen edhe me Thaçin

Emisarët special të presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kancelares gjermane Angela Merkel, do të takohen sot me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Takimi me Thaçin vjen pas atij me kryeministrin Albin Kurti

Njoftimin për takimin e Thaçit me emisarët special e ka bërë të ditur zyra e presidentit.

“Në orën 10:15, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pret në takim një delegacion francezo-gjerman, këshilltarë të kancelares gjermane Angela Merkel dhe të presidentit francez Emmanuel Macron”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Para takimit me Thaçin, emisarët special të presidentit francez Emmanuel Mcron dhe kancelares gjermane Angela Merkel, gjatë ditës së sotme do të takohen edhe me kryeministrin e vendit, Albin Kurtin.

Takimi do të mbahet në orët e hershme të së martës, ora 09:00, në ndërtesën e Qeverisë. Ai është konfirmuar nga zyra e kryeministrit, në njoftimin për agjendën e Kurtit.

Thuhet se emisarët Special të Macronit dhe Merkel do të vijnë në Prishtinë për takime me liderët e vendit ku do t’i japin mesazhe të qarta në lidhje me situatën e fundit.

Misioni i tyre ne agjendën e takimeve me Qeverinë e Kurtit dhe liderëve të vendit është zhbllokimi i bisedimeve me Serbi si dhe mbështetja për marrëveshje përfundimtare.

Mesazhi kryesor është heqja e tarifës 100% si dhe shpalosja e qëndrimeve te dy liderëve më me ndikim në BE, Macron dhe Merkel.

Presioni ndërkombëtar mbi qeverinë e Kosovës të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, vetëm se po shkon e duke u rritur, ai po këmbëngul të mbajë qëndrimin e tij për reciprocitetit ndaj Serbisë, e kjo nuk po i pëlqen aspak Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Derisa i dërguari i Special i Presidentit Amerikan për dialogun Kosovës-Serbi, Richard Grenell, nuk mund të ishte më i qartë në zhgënjimin e amerikanëve me idenë e kryeministrit kosovar Kurti, e si asnjëherë më parë në marrëdhënien me Kosovën, SHBA kishte njoftuar për pasoja. Ishte përfolur për ndalimin e ndihmës e investimeve ekonomike dhe madje deri tek tërheqja amerikane nga Kosova.

BE’ja si gjithnjë është më e vakët dhe më ngadaltë në çdo aspekt me gjithë disa përpjekje samitesh të organizuar më parë dhe tani kjo është përpjekja e tyre më e fundit pas spekulimeve se Komisioni Europian mund të caktonte Miroslav Lajcak si emisar për dialogun, që u prit negativisht në shumë qarqe si ndërkombëtare dhe kosovare.

Ambasadorët e Quintit kishin paralajmëruar në dy raste se taksa ndaj Serbisë duhej hequr pa kushte, tani me angazhimin e drejtpërdrejtë të dy liderëve më të fuqishëm europian përsëri ‘të parët mes të barabartëve’ në bllokun europian, Merkel e Macron duket se nuk do të dërgojnë porosi të përziera rreth çështjes së dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

(Kosova Sot Online)