Malta i ndalon të gjitha fluturimet drejt Italisë

  • 10 March 2020 - 09:54
Malta i ndalon të gjitha fluturimet drejt Italisë

Malta ka marrë vendim për ndërprerjen e të gjitha linjave ajrore me Italinë – fqinjën më të afërt dhe shtetin nga i cili furnizohet më së shumti me prodhime ushqimore, pas konfirmimit të rastit të katërt në vendin e vogël. Lajmin e bëri të ditur kryeministri i Maltës, Robert Abela.

Gjatë një konference për gazetarë, ai tha se të gjitha fluturimet mes vendit ishullor dhe Italisë janë ndërprerë menjëherë dhe se në shërbim të transportit mes dy vendeve do të jenë vetëm disa tragete që do të shkojnë deri në Sicili për të bartur mallra dhe ilaçe.

Rreth 500 mijë banorët e Maltës janë shumë të varur nga importimi i ushqimit dhe prodhimeve të tjera nga Italia, sepse pjesa më e madhe e importit vjen nga ky shtet.

Kryeministri italian, Giuseppe Conte, ka marrë vendim që i tërë vendi të vendoset në karantinë duke filluar nga dita e martë deri në muajin e ardhshëm si masë për parandalimin e përhapjes së mëtejme të koronavirusit.

Në anën tjetër, kryeministri i Maltës është kritikuar për injorimin e thirrjes së shoqatës së mjekëve që fluturimet me pjesën veriore të Italisë të ndërpriteshin më herët, kur ishin konfirmuar rastet e para të infektimeve atje.

Tre personat e infektuar kishin udhëtuar në Itali dhe ishin kthyer në ishull përmes Romës, shkruan “Reuters”.

(Kosova Sot Online)