Presidenti polak heq dorë nga tubimet zgjedhore shkaku i koronavirusit

  • 10 March 2020 - 10:05
Presidenti polak heq dorë nga tubimet zgjedhore shkaku i koronavirusit

Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, ka thënë se nuk do të organizojë tubime të mëdha gjatë fushatës për shkak të përhapjes së koronavirusit. Deri më tani, në këtë shtet janë konfirmuar 17 raste të infektimeve.

Polakët do të votojnë në maj në zgjedhjet presidenciale, të cilat do të jenë jetike për partinë nacionaliste në pushtet, Ligj dhe Drejtësi, dhe për shpresat e saj për zbatimin e agjendës së vet.

Presidenti i tanishëm është aleat i partisë në pushtet, e cila vazhdimisht i ka marrë mbi 40 për qind të votave, shkruan “Reuters”.

“Kam marrë vendim për të mos organizuar takime të mëdha në lidhje me fushatën zgjedhore, sepse janë takime në të cilat vijnë qindra njerëz”, citohet të ketë thënë presidenti polak.

“Mua më duket se rreziku që këto takime të shkaktojnë përhapje të koronavirusit është shumë i madh”, shtoi ai.

Polonia të hënën njoftoi se do ta fillojë zbatimin e kontrolleve kufitare në përpjekje për ta parandaluar përhapjen e mëtejme të virusit Covid-19.

Pavarësisht 17 infektimeve, asnjë person nuk ka vdekur nga virusi i ri në shtetin me 38 milionë banorë.

(Kosova Sot Online)