Ministrja e Arsimit mbledh drejtorët komunalë, ka një plan për koronavirusin

  • 10 March 2020 - 14:57
Ministrja e Arsimit mbledh drejtorët komunalë, ka një plan për koronavirusin

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Hykmete Bajrami, sot do të takohet me drejtorët komunalë të arsimit, për të diskutuar rreth masave mbrojtëse që do të ndërmerren nëpër shkolla, për t’u mbrojtur nga koronavirusi.  

Këtë e ka konfirmuar për media ministrja Bajrami, e cila ka deklaruar se   takimi do të mbahet për të biseduar rreth implementimit të planit të veprimit dhe për ndërmarrjen e masave kundër koronavirusit.

“Takimi është thirrur për të biseduar për implementimin e planit të veprimit për masat preventive kundër koronavirusit”, ka thënë Bajrami.

Ndërkohë, Bajrami të hënën tha për media se dikasteri të cilin ajo e drejton, deri më tani ka zbatuar të gjitha rekomandimet që kanë ardhur nga Ministria e Shëndetësisë.“Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) është në kontakt me autoritete relevante rreth situatës epidemiologjike të Koronavirusit COVID 19. Deri më tani janë zbatuar të gjitha rekomandimet që kanë ardhur nga Ministria e Shëndetësisë”, ka thënë Bajrami.

Ajo ka treguar se po shqyrtohet nëse duhet të ndërmerren masa tjera, siç është mbyllja e përkohshme e shkollave.

“Jemi duke shqyrtuar edhe vendimin nëse duhet marre masa tjera, siç është mbyllja e përkohshme e shkollave. MASHTI dhe MSH do të kërkojnë që kjo çështje te shqyrtohet në mbledhje të kabinetit qeveritar”, ka deklaruar Bajrami.

E në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës, sot janë paraqitur gjashtë raste të reja të dyshuara për koronavirus, duke bërë që numri të shkojë në tetë.

Këtë e ka konfirmuar drejtoresha e Klinikës Infektive, Lendita Ajvazi-Berisha.

“Ne momentalisht në klinikë i kemi hospitalizu gjashtë pacientë. Për momentin nuk ka nevojë për shqetësime”, ka thënë ajo.

Media merr vesh se personat që dyshohet të jenë të prekur me koronavirus kanë ardhur në Kosovë  nga Zvicra, Anglia dhe Maqedonia.

Ndërkohë, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, të hënën në një konferencë për media, pas takimit me Komitetin Koordinues dhe Vlerësues për situatën epidemiologjike, ka deklaruar se deri më tani në Kosovë nuk është asnjë rast i konfirmuar me koronavirus.

Ai shtoi se Ministria e Shëndetësisë planifikon të shpenzojë 10 milionë e 13 mijë e 295 euro, për të zhvilluar aktivitetet dhe planet rreth parandalimit apo trajtimit të virusit për të prekurit eventual në Kosovë

“Komiteti për koordinimin dhe vlerësimin e situatës epidemiologjike lidhur me koronavirusin mbajti sot takimin e rregullt në të cilin ka shqyrtuar situatën epidemiologjike në vend dhe ka përgatitjet që janë bërë për t’u ballafaquar me raste eventuale të këtij virusi edhe në Kosovë”, ka thënë Vitia.

(Kosova Sot Online)