Raportet me Amerikën, Dardan Molliqaj kërkon shkarkimin e Kurtit me protesta

  • 10 March 2020 - 17:30
Raportet me Amerikën, Dardan Molliqaj kërkon shkarkimin e Kurtit me protesta

Ish-zyrtari i lartë i Lëvizjes Vetëvendosje thotë se kryeministri Kurti duhet të shkarkohet me Kuvend ose me protesta, pas zhvillimeve të fundit dhe kërcënimeve nga SHBA’ja për heqjen e prezencës ushtarake në Kosovë.

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka reaguar pas paralajmërive nga zyrtarë amerikanë, sipas të cilëve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës po e shqyrtojnë prezencën ushtarake në Kosovë.

Molliqaj shkruan se Kosova e SHBA’ja nuk kanë dallime gjeopolitike që të ketë konfrontim.

Sipas ish-bashkëpunëtorit të ngushtë të Kurtit, Kryeministri nuk po e heq tarifën ndaj produkteve serbe sepse është i obesionuar me presindentin Hashim Thaci.

“Kurti nuk po e mban taksën sepse nuk po e dëshiron një marrëveshje të caktuar, por sepse obsesioni i tij me Hashim Thaçin ia ka humbur shikimin”, ka shkruar Molliqaj në Facebook.

Molliqaj thotë se Kurti duhet të shkarkohet ose përmes Kuvendit, ose me protesta.

“Nuk ia kemi borxh këtë gjë, sepse po e bën për vete. Kurti duhet të shkojë, përmes Kuvendit ose protestave. Çfarëdo tërheqjeje e taksës tash është përgatitje për rrezikun e radhës, rrjedhimisht ai nuk ka më të drejtën e vendimeve për fatin e vendit”.

Shkrimi i plotë i Molliqajt:

Kurti duhet të shkojë

Republika e Kosovës është rezultat i përpjekjeve të qytetarëve tanë për liri e mëvetësi. Por, këto përpjekje janë realizuar kur janë krijuar edhe rrethanat e favorshme ndërkombëtare. Këta rrethana lidhen më së tepërmi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Momentet vendimtare kur aspiratat tona janë realizuar lidhen në mënyrë direkte me politikën e jashtme amerikane. Bombardimet e vitit 1999, por edhe shpallja e pavarësisë janë kështu.

Situata e krijuar ditëve të fundit na flet për mungesë të vizionit karshi dialogut me Serbinë. Kjo mungesë e vizionit po përcillet me një abstenim absurd të Qeverisë karshi dialogut.

Taksa nuk duhet hequr sepse kështu po na thonë të tjerët, por pikë së pari sepse përfundimi i dialogut me një marrëveshje që një herë e mirë mbyll të gjitha çështjet e hapura me Serbinë është interes jetik i Kosovës.

Shtetet e Bashkuara dhe Kosova nuk kanë dallime gjeopolitike që mund ta arsyetonin konfrontimin. Kurti nuk po e mban taksën sepse nuk po e dëshiron një marrëveshje të caktuar, por sepse obsesioni i tij me Hashim Thaçin ia ka humbur shikimin. Ky obsesion po na çon drejt avanturave e rreziqeve tërësisht të panevojshme. Dikush që nuk ka vizion as projekt për të ardhmen e vendit, që akuzon tërë kohën, por s’guxon të marrë përgjegjësi, nuk i duhet Kosovës. Dikush që reziston, për t’u dorëzuar pastaj pa asnjë efekt për të mirën e vendit, thjesht sepse e vërejti rrezikun për vete, është rreziku që i kanoset vendit.

Nuk ia kemi borxh këtë gjë, sepse po e bën për vete. Kurti duhet të shkojë, përmes Kuvendit ose protestave. Çfarëdo tërheqjeje e taksës tash është përgatitje për rrezikun e radhës, rrjedhimisht ai nuk ka më të drejtën e vendimeve për fatin e vendit.


(Kosova Sot Online)