Joe Biden fiton zgjedhjet e Partisë Demokratike në Michigan

  • 11 March 2020 - 08:29
Joe Biden fiton zgjedhjet e Partisë Demokratike në Michigan

Kandidati për president të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e ka siguruar një fitore të rëndësishme brenda Partisë Demokratike në Michigan. Ky rezultat po vlerësohet si goditje e rëndë për kandidatin tjetër, Bernie Sanders.

Ish-nënpresidenti amerikan gjithashtu pritet të shënojë fitore në Mississippi, Missouri dhe Idaho, ndërsa në Uashington dhe në Dakohtën Veriore nuk dihet ende fituesi, shkruan “The Guardian”.

Duke folur në Philadelphia, kandidati Biden u duk plot vetëbesim për rezultatet e së martës dhe la të kuptohet se gara kundër presidentit të tanishëm, Donald Trump, mund të ketë filluar qysh tash.

“Sonte, ne jemi një hap më afër kthimit të dinjitetit dhe nderit në Shtëpinë e Bardhë, ky është qëllimi ynë përfundimtar”, tha ai. “Në këtë moment, kur ka aq shumë frikë në vend, ne kemi nevojë për lidership amerikan”, shtoi ish-zëvendësi i Obama-s.

Ai e falënderoi kundërkandidatin Sanders për, siç tha, pasionin e tij. “Dëshiroj ta falënderoj Bernie Sanders-in dhe përkrahësit e tij për pasionin e tyre të palodhshëm. Ne e kemi një synim të përbashkët dhe së bashku do ta mposhtim Donald Trump-in”, tha miku i Kosovës.

Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara do të mbahen në nëntor të këtij viti, kurse kandidati fitues brenda Partisë Demokratike pritet të caktohet zyrtarisht në korrik.

(Kosova Sot Online)