Ministrja britanike e shëndetësisë infektohet me koronavirus

  • 11 March 2020 - 08:38
Ministrja britanike e shëndetësisë infektohet me koronavirus

Ministrja e shëndetësisë në Britani të Madhe, Nadine Dorries, është infektuar me virusin Covid-19, i cili tashmë është përhapur në tërë botën dhe ka shkaktuar mijëra viktima.

Zonja Dorries, zyrtarja e parë e lartë që infektohet me virusin e ri, tha se i ka marrë të gjitha masat e rekomanduara pasi zbuloi se është e infektuar dhe e ka izoluar veten në shtëpi.

Ky lajm erdhi në kohën kur në Mbretërinë e Bashkuar u konfirmua viktima e gjashtë, kurse deri më tani janë infektuar 382 persona.

Personi i gjashtë që vdiq nga koronavirusi ishte një burrë në të tetëdhjetat, i cili ishte duke u përballur edhe me probleme tjera shëndetësore, shkruan “BBC”.

Ndërkohë ndeshja e futbollit mes klubeve Manchester City dhe Arsenal, që ishte planifikuar të luhej sot, është anuluar si masë parandaluese kundër përhapjes së mëtejme të virusit.

Qeveria ka premtuar se organet e shëndetësisë do t’i kenë në dispozicion të gjitha burimet për të cilat kanë nevojë gjatë kësaj krize, përfshirë përkrahjen financiare për individët e vetëpunësuar dhe bizneset e vogla.

(Kosova Sot Online)