Bie numri i rasteve të koronavirusit, mund të rinis puna në Wuhan

  • 11 March 2020 - 09:36
Bie numri i rasteve të koronavirusit, mund të rinis puna në Wuhan

Punëtorët e disa sektorëve të rëndësishëm të industrisë në Wuhan të Kinës, ku filloi përhapja e koronavirusit, janë njoftuar se mund ta fillojnë punën, një ditë pasi qyteti u vizitua nga presidenti kinez, Xi Jinping.

Qyteti me 11 milionë banorë ka qenë në izolim prej fundit të janarit, por vizita e presidentit ishte shenjë se vendi ka shënuar përparim në luftën kundër virusit Covid-19.

Në kohën kur punëtorët u njoftuan për mundësinë e kthimit në punë në Wuhan, autoritetet në pjesët e tjera të Kinës e ulën nivelin e emergjencës dhe i zbutën kufizimet në lidhje me udhëtimet.

Qeveria provinciale në Hubei njoftoi se në punë do të mund të kthehen punëtorët e transportit publik dhe punëtorët e angazhuar në prodhimin e pajisjeve mjekësore dhe produkteve të përdorimit të përditshëm.

Ndonëse ekonomia është duke operuar me rreth 25 për qind nën nivelin e zakonshëm, aktiviteti normal pritet të kthehet deri në fund të prillit, shkruan “Reuters”.

Në 24 orët e fundit, në Kinë u regjistruan 22 viktima të reja. Të gjithë personat e vdekur ishin nga epiqendra e virusit.

(Kosova Sot Online)