Asnjë deputet rus nuk guxoi të votojë kundër zgjatjes së mandatit të Putinit

  • 11 March 2020 - 09:50
Asnjë deputet rus nuk guxoi të votojë kundër zgjatjes së mandatit të Putinit

Dhoma e Ulët e Kuvendit të Rusisë i miratoi përfundimisht të mërkurën ndryshimet kushtetuese, të cilat ia mundësojnë presidentit Vladimir Putin qëndrimin në pushtet edhe pas vitit 2024.

Në kuvendin me 450 ulëse, 383 deputetë e përkrahën propozimin e qeverisë për ndryshimin e kushtetutës, 43 ligjvënës abstenuan, ndërsa 24 ligjvënës munguan në seancë. Asnjë deputet nuk votoi kundër, shkruan “Reuters”.

Vladimir Putin ndodhet në pozitën kryesore politike të shtetit më të madh në botë për një kohë të gjatë. Fillimisht, ai shërbeu si president nga viti 2000 deri në vitin 2008, kurse u kthye përsëri në postin e presidentit në maj të vitit 2012.

Sipas rezultatit të anketave, popullariteti i tij viteve të fundit ka shënuar rënie.

Verën e kaluar, ai u akuzua për shtypje të opozitës dhe të protestave që u mbajtën në Moskë, ku u arrestuan shumë njerëz.

Rusia kritikohet nga komuniteti ndërkombëtar për shkelje të të drejtave të njeriut, agresion të jashtëm dhe zbatim të sistemit autoritar.

(Kosova Sot Online)