Familja Bytyqi: SHBA’ja ta kushtëzojë Serbinë me zbardhjen e vrasjes së djemve tonë

  • 11 March 2020 - 11:32
Familja Bytyqi: SHBA’ja ta kushtëzojë Serbinë me zbardhjen e vrasjes së djemve tonë

Zyrtarë të lartë të administratës së presidentit Trump dhe senatorë republikan kanë paralajmëruar largim të forcave amerikane nga Kosova në rast se nuk merret një vendim për heqje të taksës dhe nëse Prishtina zyrtare nuk përkushtohet plotësisht për paqe me Serbinë.

Një qëndrim të tillë të senatorëve amerikanë e kanë shpërndarë edhe emisari special i Trump për dialogun, Richard Grenell dhe këshilltari për Siguri Kombëtare i Trump, Robert O’Brien.

E ndaj këtij presioni amerikan drejt Kosovës kanë reaguar familjarët e vëllezërve Bytyqi, të cilët kanë kërkuar nga Richard Grenell dhe David Perdue, që t’i bëhet presion edhe Serbisë për zbardhjen e vrasjes së vëllezërve Bytyqi të cilët ishin shtetas amerikan.

Në reagimin e bërë ndaj David Perdue, kujtohet fakti që Serbia ka vrarë 3 vëllezërit Bytyqi dhe se Beogradi ka dështuar që të hedh dritë mbi këtë rast për vite të tëra. Ndër të tjera thonë se SHBA’ja duhet të kushtëzojë mbështetjen për Serbinë me zbardhjen e vrasjes së 3 vëllezërve Bytyqi.

“20 vjet më parë, Serbia ka vrarë 3 amerikan- vëllezërit Bytyqi. Presidenti Vucic për vite ka premtuar se do ta zgjidh këtë rast, por në të vërtetë ai vetëm ka mbrojtur të dyshuarin kryesor. Çfarë mund të thoni për një kushtëzim të mbështetjes Amerikane për Serbinë për mbajtjen e premtimit (rreth zbardhjes së vrasjes) të jetëve amerikane”, thuhet në një reagim të “Bytyqi Brothers” ndaj seantorit Perdue.

I kanë reaguar edhe emisarit të Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, duke e pyetur se a beson Ëashingtoni në drejtësi për 3 amerikanët e vrarë dhe se a mund të injorohet një rast i tillë përgjatë dialogut.

(Kosova Sot Online)