Konjufca sqaron në detaje si ndodhi skandali me njohjen e Xhamajkës

  • 11 March 2020 - 13:57
Konjufca sqaron në detaje si ndodhi skandali me njohjen e Xhamajkës

Kryediplomati Glauk Konjufca para Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme, ku po raporton për herë të parë, ka dhënë detaje se si ndodhi që të del njoftimi se Xhamajka e njohi Kosovën, e pastaj e mohoi një gjë të tillë. Sipas Konjufcës, gjithçka nisi me kontaktimin e Presidentit Hashim Thaçi nga ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku. 

Konjufca thotë se Citaku e ka njoftuar së pari Presidentin Thaci dhe ia ka dhënë lajmin në formë të urimit. Pastaj, sipas versionit të ministrit të Jashtëm, lajmi që e dha Presidenti i vendit është marrë i mirëqenë nga institucionet e tjera.

“Prej kur e mora detyrën ndodhën dy raste. I pari Xhamajka dhe e dyta Sierre Leone. Sa i përket rastit të Xhamajkës, për herë të parë në historinë e Republikës së Kosovës, prej 17 shkurtit 2008, i është komuniku Presidentit një lajm, që është marrë si i vërtetë, por nuk është vërtetuar. Na ka shkaktuar probleeme sepse lajmi është dhënë pa u pa nota verbale”, ka thënë Konjufca, transmeton Gazeta Express.

Ai thotë se për shkak të largësisë gjeografike mes Kosovës e Xhamajkës, ambasadorja kosovare në Uashington delegohet të merret me to.

“Kur ka njohje nga larg, ne jemi të varur prej ambasadorëve tonë. Ambasadorja jonë e ka kontaktuar së pari Presidentit dhe ia ka shprehur në formë të urimit njohjen nga Xhamajka”

Presidenti menjëherë ka shkruar një urim në rrjetet sociale. Ne duke u nisur nga fakti, që ambasadorja e ka një relacion me Presidentit, të gjithë e kanë marrë si të mirëqenë” , ka thënë Konjufca,

Sipas tij, Presidenti ka dhënë lajmin pa e parë notën verbale, ndërsa shton se më vonë është kuptuar që nuk ka qenë njohje, por vetëm zotim.

“Presidenti mendojë se është ngutur me atë paraqitje, por megjithatë ai paraqet një autoritet që fjala e tij publike merret si e mirëqenë, është marrë edhe ajo nga të gjitha autoritetet. Në hulumtimin më të thellë, ne kemi marrë vesh se e tëra ka qenë në nivel të zotimit mes ambasadorëve”

Konjufca ka thënë se deri këtu mund të ndajë me komisionin, në prani të mediave. 

(Kosova Sot Online)