Daut Haradinaj, Albin Kurtit: Je marrë vesh për heqjen e taksës me zyrtarë qe s’e kanë njohur Kosovën

  • 11 March 2020 - 20:32
Daut Haradinaj, Albin Kurtit: Je marrë vesh për heqjen e taksës me zyrtarë qe s’e kanë njohur Kosovën

Në seancën e jashtëzakonshme për raportet SHBA-Kosovë, fjalën e ka marrë edhe shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, i cili ka thënë se Presidenti Hashim Thaçi nuk do të mund të ndalet nga bisedimet e fshehta përmes debateve parlamentare.

“Nuk mundeni ta ndalni zotin Thaçi as me debate parlamentare, as me këto bisedimet interne. E vetmja mënyrë është të shkohet atje bashkë, dhe të bëhet marrëveshja bashkë”, ka thënë ai.

Haradinaj ka zhvilluar një debat të tensionuar me Kurtin. Në një moment Haradinaj i ka thënë Kurtit se është “zgërdhirë” me kryeministren serbe, Ana Bërnabiq.

Haradinaj e ka akuzuar Kurtin se e ka negociuar heqjen e taksës me zyrtarë të Bashkimit Evropian, që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Ai ka thënë se fjalën në marrëdhëniet Kosovë-Serbi, duhet ta ketë Uashingtoni.

“E kanë negociuar heqjen e taksës me disa zyrtarë të BE-së, të cilët nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës. Në debatin Brukseli e Uashingtoni, për mua gjithmonë është Uashingtoni”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se ish-kryeministri Ramush Haradinaj e ka vendosur taksën dhe e ka marrë pëlqimin e amerikanëve për themelimin e ushtrisë.

“I njëjti njeri që e ka vendosur taksën ka arritur të marrë pëlqimin për formimin e ushtrisë nga SHBA”, ka theksuar ai.

(Kosova Sot Online)