Kosova s’është e gatshme për vazhdim të dialogut, thotë Gjuriq

  • 11 March 2020 - 20:50
Kosova s’është e gatshme për vazhdim të dialogut, thotë Gjuriq

Serbia është e gatshme të vazhdojë dialogun pas heqjes së pakushtëzuar të taksës ndaj mallrave serbe.

Kështu ka deklaruar drejtori i zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriq, duke shtuar se nga ana e qeverisë së Kosovës nuk ka gatishmëri që të rinis dialogu.

Gjatë një bisede me nënsekretarin për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Finlandës, Kai Sauer, Gjuriqi theksoi se qeveria e Kosovës “edhe përmes dokumenteve zyrtare tregoi mosgatishmëri për dialog produktiv”.

“Kjo shihet më së miri në programin e miratuar të qeverisë Kurti”, tha ai.

Gjuriqi paralajmëroi se në Kosovë për vite të tëra po krijohet një “koncept anti-evropian i shtetit monoetnik” në të cilin “të gjithë joshqiptarët janë qytetarë të rendit të dytë” dhe se atyre u janë mohuar të drejtat më themelore të njeriut.

(Kosova Sot Online)