Tarifa të hiqet bashkë me Presidentin ,Qeveria aktuale pro- amerikane

  • 12 March 2020 - 08:06
Tarifa të hiqet bashkë me Presidentin ,Qeveria aktuale pro- amerikane

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani, dje në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, që e thirri opozita, dhe që foli krejt në fund pas fjalimeve të deputetëve, theksoi se marrëdhëniet mes Kosovës e miqve shpëtimtarë, janë ekzistenciale.

Osmani tha se në qeverinë e Kosovës nuk ka anti-amerikanë, dhe kur foli për tarifën, ajo tha se duhet të hiqet porse bashkë me të edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

“Pa ta as nuk do ta kishim shtetin, as paqen, as ushtrinë, as njohjet, as lobimin për anëtarësim në FMN e organizata tjera, sepse në ato që s’jemi është se nuk e kemi pasur koordinimin sa duhet me SHBA-në. As nuk do t’i kishim milionat e miliardat që e realizuan mbijetesën tonë ekonomike nga 99’ta e tutje, as bursat”, u shpreh Osmani.

Sipas Osmanit, ajo që është e sigurt sot në Kosovë, është se në këtë qeveri aktuale ‘nuk ka anti-amerikanë’.

“Në vend të deklaratave, është me rëndësi të punojmë me dokumente që janë votuar sepse si Kuvend na ka hije kjo”, tha ajo.

Sipas Osmanit, programi qeverisës i cili është votuar unanimisht, është ai me të cilin duhet të punojë Kuvendi.

“Tek dialogu me Serbinë, që është votuar nga të gjithë ministrat, thotë se Qeveria e Kosovës do të angazhohet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, përmes dialogut dhe në frymën e parimit të reciprocitetit. Dialogu me Serbinë udhëhiqet nga kryeministri mbi bazën e mandatit kushtetues dhe i raporton Kuvendit në baza të rregullta për procesin. Zëvendësimi i tarifave për mallrat nga Serbia e BeH me masa reciprociteti të plotë, është votuar nga të dyja partitë dhe ne e kemi detyrë të punojmë me këtë dokument”, tha Osmani në Kuvend.

Sipas saj, historia e re dhe e vjetër e Kosovës, e dëshmon që “Kosova kurrë nuk ka pasur sukses pa e pasur SHBA-në në krah”.

“Por, së pari duhet të mbrohen interesat e vendit, dhe e dyta, të mbrohen miqësitë me shtetet shpëtimtare”, tha ajo, duke shtuar se të dyja këto shkojnë bashkë.

Osmani tha se “nuk mundesh me pretendu me u paraqit pro-amerikan kur zhvat dhe shkel çdo interes të shtetit të Kosovës”.

“Kur LDK dhe VV ishin opozitë legjislaturën e kaluar i dolën zot këtij vendi dhe e mbrojtën pro amerikanizmin, kur të tjerët dëshironin me ngul këtë thikë pas shpine”, u shpreh tutje kryeparlamentarja.

Osmani ka theksuar se pavarësisht që i është bërë ftesë për të shkuar në Kuvend e të raportojë presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, komentari i Kushtetutës sqaron që presidenti nuk i raporton Kuvendit.

“Rrjedhimisht nuk do të kemi mundësi as t’i bëjmë pyetje e as komente. Për fat të keq duhet vetëm ta dëgjojmë”, tha ajo.

“Po ky president, sot e quan kryeministrin e vendit, përpëlitës, i frustruar, gënjeshtar, mashtrues, frikacak, djallëzor, përçarës, djallëzor, manipulues etj. Një institucion që duhet ta përfaqësojë unitetin i drejtohet kështu një tjetër institucioni, që në fakt ka obligim kushtetues që të konsultohet për tema që kanë të bëjnë me politikën e jashtme”, u shpreh Osmani.

Sipas kryeparlamentares Osmani, ka ardhur koha që Kosova ta dëshmojë veten në dialogun me Serbinë.

“Shteti ynë nuk mundet as pa ndihmën e SHBA-së as BE-së. Apeli im për të gjithë është që të ulemi ta gjejmë gjuhën e përbashkët edhe për interesin e vendit edhe me miqësinë me këto shtete”, tha Osmani.

Ajo tha se “kemi besim të plotë 100 për qind në SHBA dhe përfaqësuesit e saj”.

“Por për shkak të kaluarës ku u hapën tema që rrezikuan sovranitetin e vendit dhe integritetin territorial, nuk kemi besim në presidentin e Kosovës. Ky është problemi në dialog. Nëse presidenti do ta respektone rolin kushtetues dhe Qeveria do ta udhëhiqte dialogun, ne do ta kishim secilën garancë, që s’do të prekej as integriteti territorial as asgjë. Kemi uzurpim dhe e detyron secilin deputet racional ta ngrisë çështjen e rolit të tij. Më vjen mirë që ka pasur deputetë edhe nga PDK-ja mandatin e kaluar që kanë qenë kundër prekjes së territorit”, tha Osmani.

Sipas Osmanit, Thaçi tha se është takuar me liderë politikë dhe se ata përfaqësojnë 90 deputetë dhe aludoi q këta deputetë kanë qëndrime të unifikuara.

“Po e bëjë të qartë z.president jo në emrin tim. Unë nuk jam ndër 90 deputetë që përkrahi qëndrimin tënd. Sepse je duke e mbajtur të fshehtë dhe askush nuk mundet në emër të deputetëve t’i japë atij përkrahje përderisa e uzurpon procesin në mënyrë kundër kushtetuese”, u shpreh tutje Osmani.

Në fund, për Qeverinë, tha ajo, “mendoj se tarifa duhet të hiqet”.

duhet të hiqet në të njëjtën kohë me presidentin. Kur hiqet ai hiqet rreziku prej marrëveshjeve të rrezikshme. Kështu mbrohet interesi i vendit dhe marrëdhënieve me miqtë tanë. Tarifa duhet të hiqet që kjo qeveri të vazhdojë t’ia prishë strofullën krimit, që kjo qeveri t’ia prishë planet që karrierën e tyre menduan pos si ta shpëtojnë lëkurën e tyre”, tha kryeparlamentarja Osmani.

(Kosova Sot Online)