I gjeni kudo: Instituti i Shëndetësisë shpërndan mjekët në tërë Kosovën

  • 12 March 2020 - 09:30
I gjeni kudo: Instituti i Shëndetësisë shpërndan mjekët në tërë Kosovën

Instituti i Shëndetësisë Publike të Kosovës i ka shpërndarë kudo zyrtarët mjekësor, për parandalimin e përhapjes së virusit Coviz-19.

Në një postim në Facebook nga IKSHP-ja, thuhet se ekipet e profesionistëve shëndetësorë janë shpërndarë anekënd vendit në parandalimin e koronavirusit.

 “Ekipet e profesionistëve shëndetësorë anekënd vendit në parandalimin e coronavirus! Ata janë kudo: në laboratorë, në klinika, në spitale, në QKMF, në Aeroport, në kufijtë e Kosovës! Së bashku ia dalim! Nuk ka pushim! Nuk ka orar! Nuk ka lodhje! Profesionalizëm, etikë, humanizëm”, shkruan IKSHP-ja.

Ndërkohë deri më tani në Kosovë nuk është konfirmuar asnjë rast pozitiv me virusin Covid-19. Megjithatë, institucionet e vendit po ndërmarrin masat parandaluese për përhapjen e koronavirusit.

Një ndër vendimet e Qeverisë së Kosovës në mbledhjen e jashtëzakonshme e cila u mbajt mbrëmjen e së mërkurës, është mbyllja e institucioneve arsimore deri më datë 27 mars.

(Kosova Sot Online)